English

Berisha: 4 vitet e ardhshme, ta shndërrojmë Shqipërinë tërësisht

Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti dje takimin e të rinjve të degës së PD-së në bashkinë e Sukthit. Gjatë këtij takimi, 430 të rinj e të reja u bënë anëtarë të Partisë Demokratike. Duke u dorëzuar kartat e anëtarësimit, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësoi vendimin e marrë prej tyre për t’u bërë veprimtarë politik të Partisë Demokratike. "Ju anëtarësoheni sot në partinë politike të fjalës së mbajtur. Gjatë 20 viteve Partia Demokratike ka shndërruar në realitet të prekshëm për çdo qytetar të gjitha premtimet e saj të mëdha. Gjatë këtyre viteve Partia Demokratike me programin e saj ka bërë që Shqipëria të jetë sot vite dritë larg asaj që ishte 20 vjet më parë", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha u ndal tek vëmendja që qeveria i ka kushtuar këto vite rinisë dhe veçanërisht shkollimit të tyre. “Në vitin 2005 ëndrra universitare, ëndrra intelektuale e shumicës dërrmuese të gjimnazistëve shqiptarë rrënohej, sepse ata nuk mund të ndiqnin studimet. Ne premtuam se kësaj do t’i japim fund, se do të bëjmë gjithçka që çdo gjimnazist dhe gjimnaziste e këtij vendi të mund të bëjë të vërtetë ëndrrën e bukur universitare, ëndrrën e diplomës, ëndrrën e tij intelektuale. Nga 12 studentë për 1 mijë banorë që kishim, ne sot kemi 51 studentë për 1 mijë banorë dhe qëndrojmë mbi mesataren Evropiane. Për ne shkollimi i të rinjve, i fëmijëve tanë, është përparësia e të gjitha përparësive. Po kështu, në rast se në vitin 2005 rreth 63 për qind e fëmijëve që mbaroni arsimin e detyruar regjistroheshin në gjimnaze, sot 92 për qind e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin 9-vjeçar regjistrohen në gjimnaz”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se gjatë qeverisjes nga Partia Demokratike u bë realitet edhe shtrirja e internetit në çdo shkollë.

Më tej, Kryeministri Berisha ftoi që edhe të rinjtë nga qytete të tjera të vendit t’i bashkohen Partisë Demokratike, të bashkohen në projektin e madh Shqipëria vend i zhvilluar. “Ftoj të rinjtë shqiptarë të bashkohen në projektin tonë të madh, projektin e Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i ëndrrës tuaj më të bukur, projekti i Shqipërisë Evropiane”, tha Kryeministri.

Kryeministri u ndal në afrimin e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ecjen drejt një mandati të tretë qeverisës, duke u shprehur se “në katër vitet e tjera është në detyrën tonë të bëjmë katër herë më shumë. Katër vitet që vijnë Shqipërinë ta shndërrojmë tërësisht. Ky është projekti juaj dhe i mbarë shqiptarëve”.

KOMENTE