English

Bizneset sociale, janë biznese që zgjidhin një problem social si papunësia, varfëria

Zgjidhja e qendrueshme e problemeve sociale si varfëria e papunësia, nëpërmjet ngritjes së bizneseve sociale në të gjithë vendin, që do të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të nxjerrë grupe dhe individë në nevojë nga hendeku i varfërisë ishte në qendër të Konferencës “Lëvizja Gjithëpërfshirëse e Biznesit Social në Shqipëri – Ide që krijojnë impakt” organizuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër .

Gjatë Konferencës u promovua lëvizja më e re e inicuar nga Qeveria shqiptare dhe u promovua çelja e konkursit të ideve për ngritjen e bizneseve sociale, ku idetë më të mira do të përzgjidhen për t’u mbështetur nga Shoqëria “Nxitja e Biznesit Sociale në Shqipëri” dhe Biznesi Social Yunus, organizatorët e aktivitetit.

Përfaqësues të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të Biznesi Social Yunus, Shoqërisë ”Nxitja e Biznesit Social”, pedagogë dhe studentë të Universitetit, autoritetet lokale të Shkodrës, shoqërisë civile dhe bizneset, pjesëmarrës në Konferencë ndanë mendimin se zbatimi i politikave dhe programeve aktive të mbështetjes për individët dhe grupet në nevojë u jep zgjdhje të qendrueshme problematikës së tyre, duke i nxjerrë përfundimisht nga hendeku i varfërisë dhe duke i integruar në shoqëri, kundrejt politikave pasive të mbështetjes të vazhdueshme me pagesa kesh nga programet ndryshme të mbrojtjes sociale.

Bizneset sociale janë biznese të cilat si qëllim kryesor të ekzistencës së tyre nuk kanë maksimizimin e fitimit, por zgjidhjen e një problemi social si papunësia, varfëria, integrimi i kategorive vulnerabël, etj., vunë në dukje organizatorët e Konferencës.

Prefektja e Shkodrës, znj. Voltana Adema, vuri në dukje se “të gjithë kemi përgjegjësi sociale përderisa jetojmë në shoqëri dhe është detyrë si e institucioneve ashtu edhe e shoqërisë civile të mendojë dhe punojë për të integruar individët dhe grupet në nevojë në jetën social-ekonomike të vendit. Shkodra është një zonë në të cilën insisiativat sociale për mbështjen e ngrupeve ne nevojë nuk kanë qenë të pakta, ndaj edhe besojmë se lëvizja e biznesit social do të përqafohet dhe se shumë shpejt do të bizneset e para sociale do të ngrihen në këtë zonë”. Dekania e Fakultetit Ekonomik, Prof.Dr.Arieta Troshani, siguroi se Universiteti do të jetë mbështetës i çdo inisiative që ka impakt ekonomik në rajonin e Shkodrës.

Për Drejtoren e Shoqërisë “Lëvizja e Biznesit Social në Shqipëri”, znj.Ardita Bonatti, “një nga fokuset kryesore të Lëvizjes është bashkëpunimi me universitet dhe të rinjtë për promovimin dhe realizimin e këtij program, pasi janë pikërisht të rinjtë që mund të gjenerojnë ide innovative”.

Sipas Drejtorit të Yunus, Biznesi Social në Shqipëri, z.Shkëlzen Marku, “bizneset sociale janë ngritur dhe funksionojnë jo vetëm në vende të varfëra, por veçanërisht në vende të zhvilluara si Angli, Francë, Gjermani, Japoni, etj., ku kanë njohur shtrirje të gjerë dhe kanë patur impakt të madh në zgjidhjen e qëndrueshme të çështjes të cilën janë fokusuar”.

Lëvizja e Bisnesit Social në Shqipëri dhe Biznesi Social Yunus synojnë ngritjen e një inkubatori orientimi, këshillimi dhe rrjetizimi mes bizneseve sociale si dhe krijimin e një fondi që do bazohet në donacionet e donatorëve të ndryshëm dhe investuesve filantropikë.

Ka qenë inisiativa e Kryeministrit Berisha për të sjellë përvojën më të mirë Botërore në luftën ndaj varfërisë dhe papunësisë, duke kontaktuar me nobelistin Prof.Muhamed Yunuss dhe kërkuar prej tij bashkëpunim me Qeverinë shqiptare për të zbatuar Lëvizjen gjithëpërfshirëse të Biznesit Social në Shqipëri.

KOMENTE