Seanca e sotme gjyqësore në Korçë ka lënë në burg Edison Kordallin, 35 vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e Et’hem Hënës.
Në sallën e gjyqit në Korçë pas vendimit të dhënë është krijuar dhe një gjendje e tensionuar midis familjarëve dhe policisë për shkak të zemërimit të familjarëve për gjykim dhe vendim të padrejtë.
Familjarët të bindur shprehen se ai nuk është vrasësi i vërtetë, por vrasësi i vërtetë gjendet i lirë.
Prova e vetme mbi bazën e të cilës u prangos Edison Kordalli është një bluzë e tij, ku janë gjetur gjurmë të djegies, por sipas familjarëve, këto janë shkaktuar nga saldimi që ai ka kryer në makinë së bashku me kunatin.
Ngjarja e rëndë, ku mbeti i vrarë Et’hem Hëna u shënua pak ditë më parë në fshatin Vloçisht.
58-vjeçari Hëna u vra me armë zjarri në kazinonë e djalit të tij, ku punonte si roje, një javë më parë, në fshatin Vloçisht të Korçës. Sipas policisë, i pandehuri Kordalli ka qëlluar për vdekje ndaj 58 vjeçarit Hëna pasi kishte humbur një shumë të konsiderueshme parash në lojërat e fatit.