English

Kosovë. Përfundojnë gërmimet për viktimat e luftës

Ekspertët e EULEX-it dhe ekspertët vendor, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, të përkrahur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur – Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë përfunduar gërmimet vlerësuese, përkatësisht zhvarrimin në lokacionin e shënjuar në mes të fshatrave Korishë dhe Lubizhdë.

Gërmimet kanë zgjatur mese gjashtë javë, të realizuara me profesionalizëm nga ana e ekspertëve. Gjatë kësaj periudhe, në lokacionin e shënjuar tek ish-Poligoni i Gjuajtjes, në fshatin Korishë, janë zhvarrosur dhjetëra mbetjet mortore. Me gërmimin e realizuar, për të tretën herë, gjatë këtyre javëve, në një sipërfaqe rreth 10,000 m² (dhjetëmijë metra katror), ‘Rasti i Korishës’ përfundimisht mbyllet, në kuptimin e gërmimit vlerësues dhe zhvarrimeve në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të luftës.

Gërmimet janë realizuar në dy faza. Faza e parë , apo faza e çminimit të lokacionit dhe përgatitjes për fazën e gërmimet apo ekzaminimit mjeko-ligjor, është realizuar nga ana e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Bashkë-Drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore (nga radhët e EULEX-it) shprehin falënderimet për angazhimin e FSK-së, për punën profesionale dhe më përkushtim.

Kurse faza e dytë, është realizuar nga ana e ekspertëve të EULEX-it dhe ekspertëve vendor, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Mbetjet mortore të zhvarrosura, shumica nga të cilat pjesë kockore apo fragmente të mbetjeve mortore, aktualisht gjenden në fazën e ekzaminimit mjekoligjor dhe përgatitjes për analizën e ADN-së. Dhe në bazë të të dhënave të fundit, aktualisht numri i mostrave që pritet të procedohen për identifikim përmes analizës së ADN-së ka arritur në rreth 68 mostra.

KOMENTE