“Sot qeveria e kryeministri e përfundoi punën e nisur nga regjimi komunist duke mos i dhënë Lirakut as drejtësi e as mundësinë për t’u dëgjuar. Lirak Bejko u nda nga jeta duke u bërë shqiptari i 31 që humb jetën për shkak të arrogancës dhe degradimit moral të pushtetit të Sali Berishës. Gruaja dhe fëmijët e tij i bashkohen sot listës së gjatë të grave të lëna vejusha e të fëmijëve të lënë jetim nga ky pushtet e ky kryeministër”. Ky ka qenë qëndrimi i mbajtur sot nga Partia Socialiste e Shqipërisë lidhur me humbjen e jetës së ish-të përndekurit politik Lirak Bejko, i cili u vetëflijuar duke i vënë flakën vetes gjatë grevës së urisë së ish- të përndjekurve.
Kryetarja e grupit të punës për të përndjekurit në Programin e Partisë Socialiste, Keti Bazhdari gjatë një deklarate për shtyp të mbajtur sot paradite është shprehur: “Liraku nuk kishte asnjë nga cilësimet e kryeministrit, e aq më pak të ishte një njeri i paguar që kish marrë përsipër misionin për të zbritur Sali Berishën nga kali. Ishte një shqiptar i thjeshtë të cilit regjimi komunist i shkatërroi shëndetin me dhunë e tortura dhe i vodhi plot 7 vite jetë të kaluara nëpër burgje. Një shqiptar i thjeshtë që kërkonte vetëm të dëgjohej nga partia dhe kryeministri, të cilëve u kishte dhënë votën e mbështetjen”.
Sipas Bashdarit, shqiptarët e thjeshtë duhet ta kuptojnë se tragjedia e Lirak Bejkos është në fakt tragjedia dhe fati i mbarë shoqërisë shqiptare nën këtë qeveri e këtë kryeministër që s’e ka për gjë as të të shajë, as të të mashtrojë, as të të vjedhë, e as të të vrasë kur guxon e ngre zërin për të drejtat apo hallet e tua.
Më poshtë deklarata e kryetares së grupit të punës për të përndjekurit për Programin e PS, Keti Bazhdari:
Kishim shpresuar shumë se Liraku do të arrinte t’u shpëtonte plagëve të rënda.
Kishim shpresuar që ai do të arrinte prapë të kthehej pranë familjes, gruas, fëmijëve të mitur, nënës. Por ja që nuk ndodhi kështu dhe sot s’na mbetet gjë tjetër veç t’i ofrojmë familjes ngushëllimet tona.
Është e vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar tronditjen që ndjen çdo shqiptar përballë kësaj tragjedie që mund të ishte shmangur shumë lehtë nëse qeveria e kryeministri do të kishte bërë gjestin më elementar për një shtet që pretendon të jetë demokratik: të ulej e të dialogonte.
Le ta gënjenin po t’i thoshin një fjalë të mirë që të dilte nga greva, tha dje nëna e Lirakut. Po në vend të fjalës së mirë, prej qeverisë e Kryeministrit Liraku mori veç sharje, shpifje e baltë.
Liraku nuk kishte asnjë nga cilësimet e kryeministrit, e aq më pak të ishte një njeri i paguar që kish marrë përsipër misionin për të zbritur Sali Berishën nga kali. Ishte një shqiptar i thjeshtë të cilit regjimi komunist i shkatërroi shëndetin me dhunë e tortura dhe i vodhi plot 7 vite jetë të kaluara nëpër burgje. Një shqiptar i thjeshtë që kërkonte vetëm të dëgjohej nga partia dhe kryeministri të cilëve u kishte dhënë votën e mbështetjen.
Sot qeveria e kryeministri e përfunduan punën e nisur nga regjimi komunist duke mos i dhënë Lirakut as drejtësi e as mundësinë për t’u dëgjuar. Lirak Bejko u nda nga jeta duke u bërë shqiptari i 31 që humb jetën për shkak të arrogancës dhe degradimit moral të pushtetit të Sali Berishës. Gruaja dhe fëmijët e tij i bashkohen sot listës së gjatë të grave të lëna vejusha e të fëmijëve të lënë jetim nga ky pushtet e ky kryeministër.
Prandaj sot është koha që të gjithë shqiptarët e thjeshtë ta kuptojnë se tragjedia e Lirak Bejkos është në fakt tragjedia dhe fati i mbarë shoqërisë shqiptare nën këtë qeveri e këtë kryeministër që s’e ka për gjë as të të shajë, as të të mashtrojë, as të të vjedhë, e as të të vrasë kur guxon e ngre zërin për të drejtat apo hallet e tua.