Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të punimeve të Hidrocentralit Lapaj, në komunën Bushtricë, në rrethin e Kukësit. Ky projekt, një investim me vlerë rreth 15 milionë euro, u realizua nga shoqëria koncensionare "Gjo-Spa Power" shpk, pjesë e grupit italian ETEA.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe ambasadori i Italisë në Tiranë z. Massimo Gaiani, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikes z. Edmond Haxhinasto, ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, deputetë të qarkut të Kukësit, përfaqësues ETEA grup dhe partnerë të tyre shqiptarë, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Hidrocentrali Lapaj shfrytëzon ujërat e lumit të Bushtricës dhe ka një kapacitet të instaluar prej 13,62 MW, me një prodhim mesatar vjetor të energjisë të vlerësuar prej 49.865 MWh. Hidrocentrali ka nisur punën dhe në të prodhohet energji e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e më shumë se 22.000 familjeve. Për ndërtimin e tij u punësuan 2500 punëtorë, inxhinierë e specialistë. Në këtë kaskad do të ndërtohen edhe gjashtë hidrocentrale të tjerë, fuqia totale e të cilëve parashikohet të jetë më shumë se 50 MW dhe, gjithashtu, do të realizohen nga investitorë vendas dhe ata italianë.
Kryeministri Berisha, gjatë përshëndetjes së tij, vlerësoi se ndërtimin i kësaj vepre hidrike është një sukses i madh i politikës së kësaj mazhorance për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. “Kjo nismë, - theksoi Kryeministri, - është jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë”.
Më tej, Kryeministri u ndal në masat lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria për investitorët, duke hequr TVSH-në për makineritë që importojnë, si dhe për çimenton e hekurin që përdoret në ndërtimin e veprave hidroenergjetike. “Ju e ndërtuat këtë hidrocentral në një kuadër të caktuar ligjor, por të gjitha veprat e tjera ju do t’i ndërtoni me një kosto rreth 20 përqind më të ulët”, tha Kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në krizën që ka përfshirë Evropën dhe vende të tjera të zhvilluara, Kryeministri u shpreh se rruga më e sigurt për tu mbrojtur nga pasojat e saj është inkurajimi dhe mbështetja e investitorëve.