English

Berisha: lufta efiçente kundër krimit të organizuar, trafiqeve, objektivi më madhor për Shqipërinë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në hapjen e Forumit Ministerial BE të rradhës- “Ballkani Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe të Brendshme”, i cili do të zhvillojë punimet në datat 5 dhe 6 nëntor në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nën kujdesin e Presidencës qipriote te Këshillit të Ministrave të BE-së. Në takim merrte pjesë edhe Komisionerja për Çështjet e Brendëshme, zonja Sesilia Malmstrom.

Kryeministri Berisha falenderoi Presidencën Qipriote të BE-së dhe Komisioneren Malmstrom për përzgjedhjen e Shqipërisë në zhvillimin e këtij eventi shumë të rëndësishëm të trajtimit të çështjeve të sigurisë dhe drejtësië për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke i vlerësuar këto çështje si të parat për çdo vend dhe shoqëri, kryeministri tha se ato kanë një rëndësi kryesore për jetën e qytetarëve, për zhvillimin në tërësi, si dhe për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet evropiane dhe botën në tërësi.

Kryeministri theksoi se për Shqipërinë, por jo vetëm, një nga objektivat më madhore duhet të jetë lufta eficente kundër krimit të organizuar, trafiqeve, jo vetëm për të bërë vendin më të sigurtë, por për të mos eksportuar krim, trafiqe, drejt vendeve të tjera. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se, “ky objektiv madhor mund të realizohet vetem në sajë të një bashkëpunimi të ngushtë mes agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve tona, bashkëpunim i cili ka një progres të madh, bashkëpunim i cili ka bërë vendet tona dhe rajonin shumë më të sigurtë, i ka bërë agjencitë tona të zbatimit të ligjit më profesionale dhe më të afta.”

KOMENTE