English

FRD-ja shpreh notë proteste. Presidenti Nishani anashkalon konsultimet për zgjedhjet

Fryma e Re Demokratike shpreh keqardhjen dhe protestën që Presidenti i Republikës z. Nishani e përjashtoi FRD apriori nga procesi i konsultimeve të partive politike për datën e zgjedhjeve. Megjithëse këto konsultime janë formale dhe nuk përputhen me pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtare për realizimin e standardeve të integrimit, FRD ka bindjen se veprimi i njëanshëm i Presidentit është një sinjal negativ për integritetin dhe besueshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor. Për më tepër ai vjen pak ditë pas vizitës së Sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton, e cila në axhendën e saj i konsideroi edhe forcat e reja politike në vend.
Në respekt të publikut dëshirojmë të sqarojmë se, FRD është një parti politike parlamentare e krijuar më 30 prill 2012 dhe e njohur zyrtarisht nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimi nr. 6345 të datës 20 qershor 2012. FRD përfaqësohet në Parlament me një deputet, ashtu siç përfaqësohen edhe dy parti të tjera parlamentare.
Alibia e Presidentit, se pjesë e konsultimeve janë vetëm partitë politike që kanë konkuruar më 2009 nuk qëndron për dy arsye: e para sepse Presidenti nuk po konsultohet për zgjedhjet e vitit 2009 por për zgjedhjet e vitit 2013 dhe në praktikën e mëparshme presidenciale gjithmonë kanë qenë pjesë e konsultimit aktorët evidentë politikë, përfshirë të gjitha forcat e reja politike të krijuara midis legjislaturash parlamentare.
E dyta, vetë ftesa e drejtë e Presidentit për një parti politike si PDIU, rrëzon alibinë e Presidentit. PDIU është një parti që nuk ka konkuruar në zgjedhjet e vitit 2009, por është themeluar më datë 17 shkurt 2011, nga deputetë të cilët ishin me sigla të tjera në zgjedhjet e vitit 2009. Në rast se logjika e konsultimeve bazohet verbërisht në zgjedhjet e vitit 2009, atëhere vetë z. Nishani duhet ta konsiderojë veten pjesë e listës elektorale të PD-së në Tiranë, por FRD beson se më 2012 kemi një realitet të ri, z. Nishani është President dhe FRD është një parti politike parlamentare.
FRD nuk shqetësohet për akte të tilla selektive të imponuara nga mazhoranca 8 muaj përpara zgjedhjeve, por shqetësohet për faktin se zyra e Kryetarit të
Shtetit ka vendosur vullnetarisht të heqë dorë nga roli i saj kushtetues duke u bërë pjesë e një pale. Dëshiroj të theksoj se vazhdimisht gjatë tranzicionit kemi pasur refuzime nga parti të ndryshme politike të ftesave dhe nismave të Presidentit, praktikë që për FRD është negative dhe e papranueshme. Por sot është hera e parë prej vitesh që Presidenti refuzon një parti politike, pra institucioni që duhet të jetë mbi palët dhe të përfaqësoj garantin kushtetues dhe vullnetin e popullit vendos të sillet me një standard të kundërt me këtë funksion dhe pritshmëri.
Së fundi, në emër të FRD shprehim vullnetin e plotë për të tejkaluar pengesa dhe provokime edhe më të mëdha se këto, dhe më 2013 me programin tonë politik, angazhimin dhe ftesën e ndryshimit të Shqipërisë do të mund ta çlirojmë politikën nga pengje të tilla të së kaluarës dhe të rikthejmë dinjitetin për shtetin dhe qytetarët.
Gazmend Oketa

KOMENTE