Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Ettore Sequi.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me plotësimin e rekomandimeve të mbetura të Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe përpjekjet institucionale për mbështetjen e procesit politik që do të garantonte konsensusin e nevojshëm për arritjen e këtij objektivi.
Ambasadori Sequi u shpreh se Komisioni Evropian inkurajon politikën shqiptare që të plotësojë kriteret e kërkuara në mënyrë që të krijohet hapësira e nevojshme për të punuar me vendet anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë.
Gjithashtu, zoti Sequi garantoi angazhimin e tij institucional dhe të Zyrës së Komisionit Evropian në Tiranë për vazhdimin e përpjekjeve në mbështetje të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Presidenti Nishani u shpreh se ndjehet shumë i shqetësuar për situatën e krijuar në vend, e cila mund të bëhet shkak që Shqipëria të mos fitojë statusin e vendit kandidat, por shprehu bindjen se klasa politike do të dijë të ngrihet mbi interesat partiake.
Kreu i Shtetit siguroi se do të vazhdojë nxitjen e bashkëpunimit politik nëpërmjet garantimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe mbështetjes së dialogut politik mes palëve.