English

Bujar Nishani, konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve

Në përmbushje të kërkesës së Kodit Zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje konsultime me përfaqësues të partive politike parlamentare.

Në takimet me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, zotin Astrit Patozi, me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zotin Gramoz Ruçi, me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zotin Lefter Koka, me Kryetarin e Partisë Republikane, zotin Fatmir Mediu, me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet, zotin Shpëtim Idrizi si dhe me një përfaqësi të PBDNJ-së, Kreu i Shtetit diskutoi për datën më të përshtatshme të zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Presidenti Nishani shprehu gatishmërinë e tij për të dëgjuar dhe vlerësuar mendimin dhe sugjerimet e partive politike parlamentare në lidhje me këtë çështje.

Të gjithë përfaqësuesit e partive politike vlerësuan ftesën e Presidentit të Republikës për t’u konsultuar me partitë politike parlamentare si një praktikë pozitive të kulturës dhe sjelljes së duhur politike dhe ofruan propozimet e tyre konkrete.

Pothuajse të gjitha propozimet e përfaqësuesve të partive parlamentare ishin në përputhje me njëra-tjetrën, çka u vlerësua shumë nga Presidenti i Republikës dhe u konsiderua prej tij si një ndihmesë e rëndësishme në marrjen e vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

KOMENTE