English

Rama: “nuk ka asnjë kuptim të miratojmë ligje, zbatueshmëria e ligjit është në nivelin më të ulët"

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të partisë, lidhur me çështjen e tre ligjeve që kërkojnë votën e opozitës. është shprehur: “Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në diskutimin për përmirësimin e drafteve ekzistuese dhe t’i votojmë këto ligje, në momentin që mandati i marrë nga zgjedhjet e majit të shkuar për administrimin e qarkut të Fierit do të shkojë në duart e atyre që populli i Fierit i ka përcaktuar si administratorët e këtyre katër viteve, që janë të zgjedhurit e Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare”.

Sipas kryesocialistit “nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojmë të miratojmë ligje, ndërkohë që zbatueshmëria e ligjit jo vetëm është në nivelin më të ulët, por në rastin konkret cenon drejtpërdrejtë një vendim të formës së prerë të gjykatës”. Kreu i PS ka siguruar se me t’u zbatuar vendimi i Gjykatës për qarkun e Fierit opozita do të përfshihet në diskutimin dhe miratimin e draftit për Gjykatën e Lartë.
Lidhur me çështjen e reformës parlamentare, Rama ka thënë se opozita është në pritje të palës tjetër që të pranojë variantin e dakordësuar edhe me ekspertët ndërkombëtarë, duke pranuar parimin e trajtimit të barabartë të shumicës dhe të pakicës në sallën e parlamentit.

Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor Kryetari Rama ka kritikuar programin qeveritar për kremtimin e festës së 100-vjetorit të pavarësisë, duke e quajtur atë “një program tërësisht mediokër pa asnjë vizion dhe shije europiane, krejt i padenjë për këtë moment historik kaq të rëndësishëm, i cili është edhe një shans i jashtëzakonshëm për të kremtuar duke reflektuar mbi të shkuarën dhe projektuar mbi të ardhmen”.

Edi Rama ka theksuar se përpos mediokritetit në këtë program, ditët e fundit janë shfaqur edhe shenjat e korrupsionit në procesin e jetësimit të këtij programi. Kryetari është shprehur se nga ana e saj Partia Socialiste ditën e shtunë në Prishtinë do të organizojë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës një ekspozitë që do të lërë gjurmë dhe mbresa të thella në rrugëtimin drejt 28 nëntorit. Në të njëjtën linjë kreu i PS ka lajmëruar edhe nisjen e projektit “Ngri Flamurin” në internet.

Argumenti i tretë i trajtuar në mbledhjen e grupit kuvendor, por jo më pak i rëndësishëm se të tjerët ka qenë vijimi i rrugës së programit “Për Një Rilindje Shqiptare”, i cili do të fokusohet tani tek çështja e arsimit dhe edukimit. Ai theksoi se PS ka një program shumë të qartë në një sërë pikash themelore përsa i përket arsimit, por kjo parti synon që ta zhvillojë këtë program në një komunikim intensiv me prindërit, me mësuesit, me nxënësit, me studentët dhe pa dyshim jo vetëm në qytet por edhe në fshat, ku fatkeqësisht ka një braktisje masive të shkollës dhe ka një rritje marramendëse të analfabetizmit.

KOMENTE