Nëpërmjet një mesazhi dërguar sot, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uron Presidentin amerikan Barack Obama për fitoren e arritur në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan dje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I nderuar Zoti President,
Rizgjedhja Juaj në postin e lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve, familjes suaj, si edhe popullit mik amerikan urimet më të ngrohta dhe miqësore, për sa më shumë sukses dhe mbarësi!
Kam bindjen e thellë se vazhdimi i mandatit tuaj si President i vendit më demokratik në botë, është një kurorëzim i përpjekjeve tuaja në dobi të popullit amerikan dhe të paqes dhe sigurisë në mbarë botën. Jam i sigurt se kjo rizgjedhje do të influencojë mjaft pozitivisht edhe në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh besimin tim se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë, lirisë, zhvillimit dhe shtetit ligjor.
Gjej mundësinë, i nderuar Zoti President, të theksoj mirënjohjen më të thellë personale dhe të gjithë kombit shqiptar, për mbështetjen e vazhdueshme që vendi Juaj i madh i ka dhënë vendit tim në përpjekjet për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe për të marrë përsipër angazhimet në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si President, si dhe suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.