Shqipëria nga një vend ku analfabetizmi u zhduk njëherë e përgjithmonë,ka filluar të shfaqë dukshëm shenjat e kësaj sëmundje tepër të rëndë për shoqërinë dhe zhvillimin e një kombi.
Konstatimi vjen nga çdo qytetar i thjeshte, mjaftn të shkosh në disa fshatra rreth Tiranës për të mos thënë në fshatrat e rretheve të tjera që tashmë shkollat janë reduktuar ndjeshëm për shkak edhe të shumë faktorëve socialë.
“Hyjmë në lumë për në shkollë, se shi i madh, s’kemi nga kalojmë,”një rrëfim shumë i sinqertë dhe prekës ka qenë ai i fëmijëve të komunës Zallbastar, për përditshmërinë e jetës së tyre, kur u duhen dy deri në tre orë rrugë për të shkuar deri në dyert e shkollës. Ata pohojnë se u duhet të hyjnë në lumë për të shkuar në shkollë. Një përditshmëri, e patregueshme dot me fjalë, e këtyre fëmijëve të kësaj komune.
“Dy-tre orë për të shkuar, se njëri nga ne e ka më larg shtëpinë. Duke kaluar lumin dhe lagemi. Kur ngrihet lumi s’shkojmë fare. Lagemi dhe kthehemi në shtëpi. Makina s’kemi. Këtej kalojnë vetëm njerëzit, makinat s’kalojnë, s’vijnë shpesh makinat. S’mund ta kalojnë lumin, është shumë lum i madh,” tregojnë kështu fëmijë të moshave 9-11 vjeç që duken sikur kanë dalë nga poezitë e Migjenit.
Dhe prindërit me një revoltë të brendshme për gjendjen që jetojnë fëmijët në radhë të parë, por edhe vetë ata, tregojnë se shumë shpesh janë të detyruar t’i transportojnë fëmijët nga një anë e lumit në tjetrën në shpinë që ata të mos shkojnë të lagur në shkollë. Këtë e shpreh një prej burrave të kësaj zone:“Është lumi, është i pakalueshëm. Këtu edhe kalamajtë e shkollës edhe këtu tek ura s’kalojnë dot, është 3-4 metra thellësi. Nganjëherë i nxjerrim ne në kurriz.”
Një burrë tjetër e ndërpret dhe do të tregojë edhe më shumë nga çdo ditë e jetës së tij dhe të gjithë bashkëfshatarëve të tij: “Drita s’kemi, rrugë makine s’kemi. Nuk po kërkojmë asgjë tjetër, të paktën këto që janë minimale.” Por nuk ndalet me aq revolta e tij, ai kundërshton dhe propagandën e qeverisë për rrugët: “Dhe thotë që janë bërë, ku është bërë. Ja shiheni, kjo është rruga,” flet ai duke i demonstruar Kryetarit Rama gjendjen e asaj që s’mund të quhet as rrugë.
Por, edhe varfëria e të gjithë zonës është një tjetër problem që u theksua gjatë kësaj bisede të Edi Ramës me banorë të zonës së Zallbastarit. Një grua me një ofshamë të fortë që i doli nga shpirti i tregoi Kryetarit të PS se shumica e banorëve vuajnë për bukën e gojës. Me fjalë të thjeshta, por shumë të sinqerta, në një dëshmi tronditëse ajo pohoi se listat e borxheve në dyqane janë shumë të gjata dhe pjesa dërrmuese e banorëve janë për bukë të gojës: “T’i shohësh faturat e dyqaneve këtu të ikën truri. Ka njerëz që të shohësh me çfarë ha bukën në darkë..., plus që ku banojnë, njëherë, që s’kanë arrit me kriju të paktën një dhomë normale. Nja 85% e popullsisë vuajnë gati për bukën e gojës. Sot viti 2012 t’i shohësh me çfarë hanë bukë në darkë fëmijët e tyre të ikën truri.”
Duke iu rikthyer çështjes së arsimimit të fëmijëve të tyre një prej banorëve tregon edhe për mizerjen ku fëmijët e tij bëjnë mësim, edhe pse kjo është zona elektorale e vetë Ministrit të Arsimit: “Fëmijët bëjnë mësim në një copë magazinë. I thënçin se bëjnë mësim se është e ndarë me copa dërrase. Fëmija klasës parë dëgjon mësimin e atij të klasës nëntë. Në këtë zonë siç shihet komplet janë tre fshatra që mund të kenë 450-500 nxënës nuk bëjnë mësim anglishteje, që është gjëja më elementare. Ministri Arsimit nuk ka ardhur asnjëherë, është deputet i kësaj zone, s’ka ardhur asnjëherë për të parë këtë gjendje. Është shkolla 25 kilometra larg kryeqytetit dhe ai s’ka ardhur asnjëherë. Ai për këtë është deputet i kësaj zone që duhet të interesohet.”
Një mësuese e larguar nga puna dëshmon çfarë po ndodh me analfabetizmin në rritje dhe me braktisjen e shkollës. Braktisja e shkollës nga vajzat është një problem madhor në këtë komunë, arsyet i shpjegon vetë ish mësuesja: “Mungesa infrastrukturës sjell edhe këto vështirësi në arsim. Shkolla është shumë larg dhe nxënësve ju duhet dy orë për të ardhur në shkollë. Kështu që një pjesë nuk e vazhdojnë, e kanë braktisur shkollën, sidomos braktisje kemi nga femrat. Le pastaj për nivelin arsimor që niveli është shumë i ulët, mungesa e mësuesve pa arsim përkatës, ka sjellë një ulje të nivelit, braktisje të shkollës. Se këtu mungesa e sigurisë nëpër shkolla dhe gjatë rrugës sjell që femrat të braktisin shkollën. Sidomos në klasën e gjashtë e braktisin shkollën.”
Kryetari Rama në bisedë me këta banorë të komunës Zallbastar është shprehur se hapi i parë që do merret nga Partia Socialiste në qeverisje do jetë transporti për fëmijët dhe mësuesit: “Analfabetizmi shtohet vit pas viti, sot shifrat thonë që ka shkuar 15%. 15% analfabetizëm në mes të Europës është një tmerr. Dhe nga ana tjetër jemi përballë faktit që rrënimi vazhdon. Ndërkohë që flasim për Bashkimin Europian, çfarë do jenë nesër të gjithë këta fëmijë që rriten në këto situata si qytetarë të Bashkimit Europian dhe me çfarë dijesh do ta përballojnë Bashkimin Europian. Ne nuk duam që nesër fëmijët e sotëm të zonave rurale të Shqipërisë të jenë çirakë në BE-në, por duam që të jenë qytetarë me dije të mjaftueshme për ta përballuar sfidën e hapjes.
Transporti sot është një problem shumë i madh. Fakti që nga një anë fëmijët për shkak se familjet janë të varfra dhe për shkak se transporti nuk ju garantohet, nuk shkojnë në shkollë, dhe nga ana tjetër mësuesit nuk vijnë të japin mësim, sepse nuk ju garantohet transporti, është rrëqethës dhe është momenti parë që duhet zgjidhur. Duhet garantuar në të gjithë territorin transporti për fëmijët dhe për mësuesit.”
Kryetari Rama ka qenë i shoqëruar nga deputetët Xhemal Qefalia dhe Artan Gaçi në takimin e zhvilluar në këtë komunë.