English

CEZ shpërndarje, shuma marramendëse për konsulencë dhe që ka zeruar pasurinë e shqiptarëve

Deputeti i PS Arben Ahmetaj gjatë një konference për mediat ka publikuar të dhëna sipas të cilave kompania CEZ shpërndarje ka shpenzuar shuma marramendëse për konsulencë. “Në 2009, 2.5 milionë dollarë. 2.5 milionë dollarë shërbime konsulence, një kompanie monopol, e cila jo vetëm që nuk e ka përmirësuar menaxhimin, por ka zeruar pasurinë e shqiptarëve. Në 2010, 7 milionë dollarë. Në 2011, 12 milionë dollarë dhe vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2012, 1 milionë dollarë”, ka nënvizuar deputeti Ahmetaj. Ata që paguajnë edhe këto miliona dollarë të CEZ për konsulencë janë shqiptarët, tha Ahmetaj, pasi tregoi një faturë energjie elektrike të një shtëpie të pabanuar, ku faturimi ishte 104 mijë lekë të reja. Ky është abuzimi dhe papërgjegjshmëria e qeverisë ndaj shqiptarëve, deklaroi deputeti socialist.

Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën për shtyp të deputetit Arben Ahmetaj:

Sot po vazhdojmë me zbardhjen e aferës së shekullit. Në pak më shumë se dy vite, një pasuri publike prej disa qindra miliona dollarësh është zvogëluar qëllimisht nga qeveria shqiptare, është privatizuar me një fraksion të çmimit të vërtetë dhe sot, vetëm dy vjet e gjysmë më pas, është firuar e humbur, ndërsa kapitali i kompanisë aktuale është reduktuar në një përqind të asaj që ishte vetëm dy vjet më parë.
Ka shumë ditë që shqiptarët bëjnë pyetje se ku shkojnë paratë e CEZ shpërndarje, ku shkojnë paratë e tyre, ku shkojnë paratë që mblidhen nga abonentët dhe si është e mundur që CEZ shpërndarje dhe ajo që ajo bën vazhdon të ngelet në errësirë. Përgjigjen duhet ta japin institucionet shtetërore, së pari duhet ta japë qeveria shqiptare dhe së dyti duhet ta japë Enti Rregullator i Energjisë të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të monitorimit dhe mbi të gjitha përgjegjës të drejtpërdrejtë të krijimit të kësaj piramide të re që rëndon në kurrizin e shqiptarëve. Megjithatë, ne si opozitë jemi munduar dhe sot do të hedhim dritë rreth këtij fakti.
Në skemën e organizimit të kompanisë CEZ në Shqipëri. Siç shikohet në skemë CEZ ka krijuar disa kompani të cilat merren me aktivitetin ekonomik dhe juridik të kompanisë. Cila është arsyeja?! Sigurisht që arsyet mund t’i shpjegojë vetë CEZ dhe Enti Rregullator që sot është një departament shtesë e CEZ shpërndarje. Por ne i tregojmë shqiptarëve një nga instrumentet sesi transferohen paratë nga portofoli i CEZ në portofol të kompanive të tjera dhe konkretisht të kësaj kompanie që quhet CEZ Albania.
Çfarë bën CEZ Albania për CEZ Shpërndarje. CEZ Albania është kompani e dizenjuar për të bërë konsulencë. Konsulencë për çfarë?! Këtu fiksoheni këtë kompani, e cila ka marrë në vite sasi të konsiderueshme parash, ka faturuar sasi të konsiderueshme parash ndaj CEZ Shpërndarje. Një nga elementët ku shkojnë paratë e shqiptarëve është këtu brenda. Këtu kam sjellë një grafik të shpenzimeve të konsulencës që CEZ shpërndarje faturohet nga CEZ Albania. Shikoni sesa para faturon CEZ Albania për shërbime konsulence. Në 2009, 2.5 milionë dollarë. 2.5 milionë dollarë shërbime konsulence, një kompanie monopol, e cila jo vetëm që nuk e ka përmirësuar menaxhimin, por ka zeruar pasurinë e shqiptarëve. Në 2010, 7 milionë dollarë. Në 2011, 12 milionë dollarë dhe vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2012, 1 milionë dollarë. Një pasuri e tërë mbi 30 milionë dollarë të cilat faturohen në favor të CEZ Albania për arsye që duhet t’i dijë qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator.
Ndërkohë qytetarët vazhdojnë të vuajnë pozicionin monopolistik të kompanisë CEZ dhe arbitraritetin e saj në faturim dhe shërbim.
Do të dua ta vazhdoj me një element po kaq të rëndësishëm për të cilin diskutuam dje, për të cilin bëmë transparencë dje. Ndërkohë që flasim për shërbime konsulence para të transferuara në shuma marramendëse për shërbime konsulence në një treg monopol, me çmime të kontrolluara. Në një treg ku do duhej të ishte transparenca shumë herë më e thjeshtë se çka është sot.
Po ashtu kanë ardhur nga qytetarë shqiptarë qindra fatura, të cilat tregojnë qartë abuzimin që CEZ shpërndarje bën mbi abonentët shqiptarë, por mbi të gjitha tregojnë indiferencën e Entit Rregullator të Energjisë dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie. Papërgjegjshmëri e qeverisë kur qytetarët shqiptarë paguajnë energjinë elektrike 200% më shtrenjtë se në vitin 2005.
Kjo është një faturë që unë do t’i lutesha medias edhe ta investigonte. Është një shtëpi e pabanuar, kjo është një faturë reale. Kjo është një banesë bosh e faturuar 104 mijë lekë, pra mbi 1 milion lekë të vjetra. Merrni ekstremitetet e faturës, mund ta investigoni, ky është një abuzim i drejtpërdrejtë, në sytë e Entit Rregullator, në sytë e qeverisë shqiptare. Shembuj të tilla kanë ardhur me shumicë këto ditë. Të dyja dhe qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator hesht përballë këtij abuzimi, ndërkohë që në transparencën që po i bëjmë pagesave brenda rrethit të kompanive të CEZ-it, do të habiteni që ka pagesa 250 dollarë orë për konsulencë. 200 dollarë për orë për konsulencë. Pagesa në një orë që merr një nga menaxherët e CEZ Albania është baras me pagesën e një mësuesi në muaj. E megjithatë, po ju them që është një vështirësi shumë e madhe për të marrë informacion nëpërmjet Entit Rregullator, nëpërmjet qeverisë shqiptare për këtë kompani. Enti Rregullator ka dalë dhe thotë CEZ nuk më jep informacion. CEZ ka refuzuar të japë shpjegime se ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Sigurisht, patjetër që ka refuzuar sepse qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator kanë funksionuar deri më sot si klientë të qeverisë. Ne i tregojmë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur me pasurinë e tyre, me zerimin e pasurisë së tyre.
Faji i KESH-it, faji i CEZ-it? Jo! Faji është i qeverisë shqiptare dhe i Entit Rregullator që vazhdojnë të mos bëjnë detyrën e vet. Ne po i paralajmërojmë shqiptarët, kjo është një piramidë e re. Një piramidë e cila rëndon sot në kurriz të ekonomisë shqiptare dhe të ekonomisë familjare të shqiptarëve. Por mbi të gjitha është një piramidë e cila rrezikon sërish ashtu si në ‘96-’97 shëndetshmërinë e ekonomisë dhe shëndetshmërinë e shoqërisë shqiptare.
Sot ky sektor gjendet në një pozitë tepër të vështirë sot, dhe përgjegjësia për këtë bie mbi qeverinë shqiptare. Qeveria shqiptare i ka larë duart nga një pasuri madhore publike dhe pastaj në asnjë moment nuk ka përfaqësuar interesat e qytetarëve, por në çdo rast është rreshtuar kundër tyre. Kjo paaftësi e shtetit e ka lejuar kompaninë të veprojë sipas dëshirës, ndërsa i ka vënë konsumatorët përpara një monopoli dhe sot përpara mundësisë që faturën e paaftësisë ata ta paguajnë dy herë, një herë nëpërmjet faturës mujore të energjisë, të dyfishuar, dhe pastaj nëpërmjet taksave të tyre. Shteti do të duhet të rimarrë në dorë këtë katastrofë energjetike,dhe ta rikthejë sektorin e energjisë në një sektor në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Ne si opozitë kemi arritur në ditët e fundit të transparencës dhe të denoncimit që i bëjmë asaj që ndodh në sistemin elektroenergjitik shqiptar. Në dy ditët që vijnë do të bëjmë një përmbledhje, por mbi të gjitha do t’ju tregojmë shqiptarëve se çfarë bëjnë përgjegjësit kryesorë, që është qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator përballë kësaj gjendje tejet alarmante të sistemit elektroenergjitik shqiptar.

KOMENTE