Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi është pritur nga kryetari i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe për zhvillimet politike në rajon.
Në takim janë vlerësuar lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kroacisë dhe është shprehur gatishmëri për thellimin e këtyre marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët.
Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me presidentin kroat ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore më të gjitha vendet e rajonit.
“E ardhmja e Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit është e ardhmja e intergrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në këtë rrugë duhet të ndërtojmë partneritet dhe bashkëpunim të gjithanshëm”.
Në takimin e Kryeministrit Thaçi me Presidentin Josipoviq është biseduar edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur angazhimin e shtetit të Kosovës për të ndërtuar raporte normale ndërfqinjësore me shtetin e Serbisë dhe për njohjen reciproke të të dyja vendeve.
Kryeministri Thaçi ka shprehur falënderimin për mbështetjen që Kroacia ka ofruar deri tani për Kosovën, dhe angazhimin e saj për të ndihmuar në proceset e integrimit evropian dhe për stabilitetin në rajon.