Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e disa ambienteve dhe laboratorëve të Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit të Universitetit Bujqësor, në Kamzë. Përmes këtij investimi, me vlerë 86 milionë lekë, janë realizuar biblioteka dixhitale edhe salla e videokonferencave, pjesë e Fakultetit Ekonomik të UBT-së, laboratori i kontabilitetit dhe laboratori i shkencave të aplikuara, laboratori shkencor i kimisë, laboratori i analizave të ushqimit, si dhe shtesa e godinës së Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Sot Universiteti Bujqësor i Kamzës ka rreth 12 mijë studentë dhe në një hark të shkurtër kohor universiteti është pajisur me më shumë se 50 laboratorë.
Pasi pa nga afër këto ambiente, Kryeministri Berisha i uroi drejtuesit dhe studentët e këtij universiteti për këtë investim, i cili përmirëson infrastrukturën dhe cilësinë akademike në të. Kryeministri u shprehu atyre mbështetjen e plotë të qeverisë në realizimin e ambicieve që ata kanë për të zhvilluar më tej shkencën, teknologjinë dhe prodhimin në këtë fushë, e cila është e një rëndësie vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi dmosdoshmërinë e arsimit të mesëm profesional bujqësor që, sipas tij, është jetik për zhvillimin e vendit. Kryeministri kërkoi që stafi i Universitetit Bujqësor në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit të hartojnë një projekt për të sjellë në vendin tonë shkollat bujqësore të tipit amerikan.