Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Tiranë, ku shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta disa ditë më parë të Patriarkut te Kishës Ortodokse bullgare Maksim.
Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit bullgar, zotit Dimitar Ivanov Arnaudov, ngushëllimet më të sinqerta dhe theksoi se ndarja nga jeta e Patriarkut te Kishës Ortodokse bullgare Maksim është një humbje e madhe jo vetëm për Bullgarinë, por për mbarë besimtarët ortodoks.
Duke lënë një mesazh në Librin e Ngushëllimit të hapur në ambasadë, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, shkroi: “duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të Patriarkut të Kishës ortodokse bullgare Maksim, shpreh ngushëllimet më të sinqerta Kishës bullgare, kombit dhe qeverisë së këtij vendi mik, për këtë humbje të madhe. Lutem që shpirti i Patriarkut të ndritur Maksim të gjejë paqen e merituar”.
Patriarku Maksim i Bullgarisë vdiq në moshën 98 vjeçare. Ai udhëhoqi për 40 vjet me radhë Kishën Ortodokse të Bullgarisë.