Bujar Nishani, Presidenti i Republikës, ka marrë dje pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomave të brezit të gjashtë të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, e cila u organizua dje pasdite në Hotel Tirana International, si një nismë e Këshillit të Evropës, e mbështetur nga Zyra e Bashkëpunimit Zvicerian që synon të kualifikojë udhëheqësit e rinj me modelin demokratik bashkëkohor të qeverisjes.
Me këtë rast, në praninë e Zëvendëssekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Gabriella Battaini-Dragoni, të Ambassadorit Arthur Mattli – Zëvendëssekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Zëvendësambasadorit të Zvicrës, John Ruhoff, të Drejtorit Erjon Tase e të pjesëmarrësve të kësaj Shkolle, si dhe të personaliteteve të botës akademike e politike, Presidenti Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën vuri në dukje rëndësinë e përgatitjes së specialistëve të rinj të shkencave politike, politikanëve e liderëve të ardhshëm të vendit për të kryer me efikasitet funksionet e tyre në sektorët administrativë, ligjorë, ekonomikë, socialë dhe kulturorë të shtetit shqiptar.
Në përshëndetjen e tij Kreu i Shtetit shqiptar, pasi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, e cila shënon përfundimin e Presidencës së radhës së Shqipërisë në krye të Këshillit të Evropës, theksoi mes të tjerash: “se kjo Shkollë shërben edhe për të promovuar vlerat e Shqipërisë, të cilat përputhen tërësisht me ato vlera që Këshilli i Evropës dhe shoqëritë demokratike sot promovojnë në tërë botën. Shqipëria pati një fat të madh që mundi të kishte Presidencën e radhës së Këshillit të Evropës dhe ta drejtonte këtë organizëm të demokracisë evropiane dhe më gjerë në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.”
Më tej Presidenti Nishani shtoi se: “Shqipëria është gjeografikisht dhe nga pikëpamja territoriale një vend i vogël, por historia dhe traditat e saj janë të pasura dhe e mundësojnë plotësisht për të ofruar kontribute reale e të drejtpërdrejta në këtë partneritet, në këtë bashkëpunim dhe angazhim që Shqipëria dhe shqiptarët kanë jo vetëm në kuadër të Këshillit të Evropës, por në tërësi në aktivitetet e përditshme qoftë të jetës së brendshme, qoftë edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.”
Duke përmendur vlerat e çmuara të kombit shqiptar si institucioni i besës, i tolerancës fetare, kontributi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon në interes të paqes, qëndrueshmërisë, zhvillimit, dialogut dhe fqinjësisë së mirë, Presidenti Nishani u shpreh se: “Vetëm nëpërmjet promovimit të vlerave tona së pari identifikojmë tërësisht qenien tonë, por nga ana tjetër krijojmë mundësi për një maturim akoma më të madh e më të shpejtë të shoqërisë sonë në tërësi, por edhe promovojmë imazhin e Shqipërisë e të shqiptarëve.”
“Shqipëria dhe shqiptarët promovojnë dhe gjithmonë do të mbështesin vlerat e bashkëjetesës, vlerat e fqinjësisë së mirë, të dialogut si mundësi të vetme që jo vetëm janë mësuar nga historia dhe që tregohen nga përvojat e Evropës së zhvilluar sot, por janë edhe bindja jonë si parimet dhe rruga e vetme e së ardhmes së përbashkët që kemi të gjithë në këtë rajon. Ndaj jam i bindur që Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë promotorë të këtyre vlerave, përçues dhe zbatues të këtyre vlerave.” – përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.
Në përfundim të kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës u uroi suksese të mëtejshme në veprimtaritë dhe angazhimet qytetare, politike, shoqërore dhe administrative të të porsadiplomuarve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike.