Ka përfunduar dje dhe Festivali i 13-të i filmit Shqiptar i cili u mbajt në kinema Millenium.
Festivali u mbyll me një sukses siç përshkruhet nga vetë pjesëmarrësit dhe njerëzit e artit por dhe publiku. Prezantimi i filmave paraqiti një nivel të kënaqshëm madje disa prej filmave u përlqyen jashtë mase.
Nata e fundit kishte dhe surpriza, të ftuar miq të botës kinematografike dhe të artit.
I tillë ishte dhe prania e aktorit të famshëm italian që të gjithë e njohim me "Tano Karidi" ose emri i vërtetë aktori italian Remo Girone.
Në një bisedë me mediat ai ka theksuar se “Kinemaja italiane mban një qëndrim mjaft kritik ndaj politikës në Itali. Megjithatë kinemaja dhe filmi kanë ndryshuar. Ajo industri kinematografike e mëparshme nuk ekziston më sepse televizioni ka përfshirë të gjitha gjërat që bëheshin më parë nga kinemaja. Kam mbaruar Akademinë e Teatrit në Romë dhe për shumë vjet bëja vetëm teater sepse karriera e atjeshme më jepte më shumë siguri. Tani nuk është e njëjta gjë, por sidoqoftë mendoj të kthehem sërish tek teatri ku kam luajtur shumë role, por mbase pas pak kohësh”.
Megjithëse ka pohuar se kjo është vizita e tij e parë dhe se në Shqipëri e ka sjellë ftesa e bërë nga miku i tij dhe krijuesi i Festivalit të Giffoni-t, Claudio Gubitosi, Z.Girone është shprehur se nuk do të përjashtonte faktin që të bënte një film edhe në Shqipëri nëse i bëhet një ofertë e tillë e cila përmban edhe skenarin e duhur.
Në fund të Festivalit janë ndarë dhe çmimet.
Filmi artistik “Lindje-Perëndim -Lindje”, i regjisorit Gjergj Xhuvani ka rrëmbyer trofeun e madh si filmi më i mirë i këtij festivali. Kupa e cila mban të gdhendur vitin e 100-vjetorit të pavarësisë është dorëzuar nga Presidenti i nderit të Festivalit, Robert Ndrenika.
Çmimin regjisori më i mirë e rrëmbeu Bujar Alimani me filmin artistik “Amnistia”. Ndërsa si aktori dhe aktorja më e mirë e Festivalit të 13 të Filmit Shqiptar janë shpallur “Fadil Hasa” për meshkujt dhe “Juli Bitri” nga femrat, cmimi i cili i është dorëzuar nga aktori i famshëm italian Remo Girone.
Në titujt e cmimeve ai i cili do të mbetet gjatë, si më i vecanti ka qenë edhe cmimi i 100-vjetorit të pavarësise, i cili i është bashkangjitur regjisorit Petrit Ruka me dokumentarin “Flamuri”.
Ndërkohë cmimi aktori më i mirë për rolet e dyta shkoi për Besart Kallakun, ndërsa për aktoren më të mirë joprotagoniste u përzgjodh Margarita Xhepa. Juria gjithashtu për filmin dokumentar më të mirë vlerësoi Antoneta Kastratin.
Filmi vizatimor me i mirë u rrëmbye nga Ilir Kansa.
Filmi më i mirë i shkurtër nga Sokol Kerraj.
Çmimi “Kinema Millenium” u mor nga Arban Xhillari.
Ndërkohë nuk kanë munguar edhe cmime speciale të jurisë per Joni Shanaj, Alban Xhillari, Nino Celeste.
Ethet e gjata të pritjes se ndarjes së cmimeve janë shoqëruar me emocione të shumta, shfaqe , atmoferë festive nga mjeshtrat e Ansamblit dhe Valleve Popullore , balet, emra të mëdhenj të skenës etj.
Salla është mbushur plot nga ministra, deputete, personalitete, kineastë shikues, të cilët kanë ndarë këto emocione të munguara prej 6 vitesh në skenën shqiptare.