Përmes një deklarate të deputetit socialist Arben Ahmetaj, Partia Socialiste kërkon dorëheqjen e Entit Rregullator të Energjisë, pasi e konsideron këtë ent si një nga fajtorët kryesorë të situatës së rëndë të krijuar në sistemin elektroenergjitik shqiptar. Deputeti Arben Ahmetaj gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot para dite ka avancuar në denoncimin e Piramidës së re të krijuar në dëm të interesave të qytetarëve shqiptarë, duke kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen e ERE. Sipas tij ky ent është përgjegjësi i drejtpërdrejtë së bashku me qeverinë për gjendjen alarmante, për kolapsin e sistemit elektroenergjitik shqiptar. Për Ahmetajn kjo piramidë e re është e ngjashme me ato të vitit ’96-’97 dhe rrezikon seriozisht shëndetshmërinë e sistemit financiar, por mbi të gjitha shëndetshmërinë e ekonomisë së familjeve shqiptare.
“Enti Rregullator i Energjisë me qëllim nuk e ka zbatuar detyrën e tij. Me qëllim ka favorizuar kompaninë CEZ. Me qëllim ka mbyllur sytë përpara moszbatimit të detyrimeve ligjore të këtyre kompanive dhe konkretisht të kompanisë CEZ. Ne si opozitë sot kërkojmë dorëheqjen, shkarkimin e Entit Rregullator të Energjisë”, ka deklaruar deputeti socialist, cili ka renditur edhe një herë të gjitha shkeljet ligjore të ERE. Sipas Ahmetajt sot rezulton që në sistem kompanitë midis njëra tjetrës apo ndaj të tretëve apo konsumatorët ndaj kompanive të kenë një borxh prej 1.2 miliardë dollarë. Aktualisht humbjet totale rezultojnë të jenë shumë herë më të larta se nga viti 2008-2009, që është momenti i privatizimit të kompanisë së shpërndarjes, OSSH-së. Ndërkohë investimet në rrjetin e shpërndarjes sipas raporteve të vetë Entit Rregullator të Energjisë, janë sa 20% e planeve të zhvillimit apo planeve të investimit.
Deputetin socialist ka theksuar se ERE në vend që të kryente detyrat e ngarkuara me ligj, ka shërbyer si një departament ndihmës i CEZ Shpërndarje, por sigurisht që nuk është përgjegjësi i vetëm për këtë. “Enti Rregullator i Energjisë ka vepruar sigurisht në emër të qeverisë shqiptare. Është qeveria e cila e ka detyruar Entin Rregullator të jetë përmbaruesi, të jetë departamenti ndihmës, favorizues i CEZ Shpërndarje”, ka nënvizuar Ahmetaj. Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Entit Rregullator të Energjisë vjen pas një serie të gjatë denoncimesh në të cilat përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë treguar me fakte, shifra dhe dokumente të vetë ERE-s përgjegjësinë që ka ky institucion që bashku me qeverinë Shqiptare për rrënimin e sistemit elektroenergjitik për interesa të caktuara korruptive.