Me një investim prej rreth 10 milionë lekësh, ka nisur rikonstruksioni i çerdhes nr.15 të Tiranës. Projekti i rikonstruksionit tërësor të saj parashikon ndër të tjera edhe një shtesë, në mënyrë që të krijohen ambiente sa më të përshtashme për fëmijët si dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.
“Në çerdhen nr. 15 ku ndodhemi tani, do të nisë një rikonstruksion i cili në pjesë të veçanta mund të themi se do të ngërthejë të gjithë teknologjinë e ndërtimit të historisë së njerëzimit. Do të heqim kallamët me të cilët është bërë tavani, do i zëvendësojmë me teknologji moderne e të sigurt të ndërtimit dhe izolimit nga i ftohti dhe lagështira, do të ndryshojë tërësisht planimetria, për të bërë të mundur rritjen e kapacitetit nga 70 në 80 fëmijë si dhe do të përmirësohen 100% kushtet hidro - sanitare dhe e gjithë çerdhja do të shtrohet me parket” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka theksuar se sistemi i ngrohjes i cili po instalohet në të gjithë çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës, do të ecë me ritme të shpejta, në mënyrë që i gjithë sistemi parashkollor dhe shkollor i qytetit të Tiranës të ketë 100% ngrohje, deri fillimin e vjeshtës së vitit të ardhshëm. Në sistemin e ri të ngrohjes, karburanti do të zëvendësohet me materiale të riciklueshme.
“Ne po e bëjmë këtë investim të vonuar e të munguar, tërësisht me fondet e Bashkisë së Tiranës, po e bëjmë duke përdorur një teknologji e cila mundëson ngrohjen e hapësirave parashkollore, çerdheve, kopshteve dhe shkollave, me një kosto sa gjysma e asaj që është përdorur deri më sot, duke zëvendësuar karburantin e djegshëm me materiale të riciklueshme (peletat) dhe në këtë mënyrë i shërbejmë edhe ambientit por i shërbejmë edhe me një kosto më të ulur, duke përdorur me më shumë “nikoqirllëk” paratë e taksapaguesve të Tiranës, duke siguruar këtë standard i cili duhej të ekzistonte prej kohësh në Tiranë dhe që është një domosdoshmëri, kur flasim për Tiranën moderne dhe evropiane, ambiente të ngrohura në të gjithë sistemin parashkollor dhe shkollor të qytetit të Tiranës” – theksoi z. Basha.
Rikonstruksioni i kësaj çerdheje do të kryhet brenda 6 muajsh. Fëmijëve të çerdhes nr.15 do t’u shërbehet në tre çerdhe të tjera, në një largësi prej afro 600 m nga kjo çerdhe, çerdhja 26 dhe 16 dhe 56.