English

Përmbytje pa shi

Dy mijë banorë janë prej 20 ditësh në luftë të përditshme me ujin që ka përmbytur gjithshka në Barbullojë të Lezhës. Ata tregojnë se nuk janë përmbytur nga shiu. Madje shiu ende nuk ka nisur të bjerë. Janë përmbytur nga dora e qeverisë.
Janë përmbytur shtëpi, janë dëmtuar prodhimet bujqësore e gjithshka që këta njerëz kishin për të përballuar mbijetesën në këtë zonë. Hidrovori është çuar për skrap thonë banorët dhe ndërkohë investimi për hidrovorin e ri ka mbetur në një copë letër.
20 ditë dhe asnjë pushtetar nuk është shqetësuar përreth 500 shtëpi të kësaj zone të përmbytura. Një burrë i moshuar e cilëson këtë që ndodh me Barbullojën një dhunë të hapur të shtetit: “Jemi përmbyt jo nga perëndia po nga qeveria se nuk na ka dalë zot. Kjo është dhunë ndaj popullit tash nga shteti. Dhunë ndaj popullit për m’u.”
Një tjetër do të jepte alarmin për mediat, e mbledhura në këtë zonë të Lezhës, se nëse nuk vihet dorë situata me të rënë shirat e parë do të përkeqësohet e dy mijë banorëve do u duhet të lënë shtëpitë e gjithë pasurinë në pushtetin e ujit, të largohen nga aty: “Pa ra shi tash 20 ditë po bëhet jena përmbyt. Vazhdon kjo gjendje. Përveç se jena dëmtu bazë ushqimore, blegtori, të mbjella të vona janë dëmtu komplet. Tani qeveria nuk e di, më duket se ne nuk na ka as në hartë. Ne kërkojmë urgjent hidrovorët se me të rënë shi ne nuk kemi vend jo këtu po as në Lezhë jo.”
Një tjetër tregon për solidaritetin mes banorëve të përmbytur që kanë strehuar njëri tjetrin pasi shtëpitë janë bërë të pabanueshme: “Në shtëpi teme unë jam në kat të dytë. Katin e parë e kam të pabanueshëm, plus që kanë ardh edhe njerëz, jemi duke strehuar njëri tjetrin se s’kan ku me nejt.”
Rrëfimet e fëmijëve janë ende më prekëse. Ata flasin për një shkollë në të cilën nuk kanë si shkojnë, por edhe kur shkojnë ashtu të lagur s’kanë asnjë kusht. Një djalë rreth të 13-tave do të shprehej kështu: “Kemi më shumë se dy javë që nuk bëjmë proces mësimor të rregullt, uji na ka hy gati edhe në shkollë. Dhe ne kur shkojmë në shkollë shkojmë me çizme dhe me çizme lagemi, e në shkollë nuk ka sistem ngrohjeje.”
“Jam në shkollën Barbulloj të Lezhës, ajo sa me u qujt shkollë se është sa me fut nxënësit kokën mrenë. Nuk kena pse me shku te ajo shkollë, mjete mësimore nuk ka, në jetojmë në mëshirë të Zotit. Rruga është si mos ma keq. Ne kemi për të hek atletet e çorapet për me kalu, uji ka dalë në rrugë. Nuk di ca më thanë më shumë, Sali Berisha është t’u mendu veç për karrigen e vet,” i thotë një prej vajzave të Barbullojës Edi Ramës.
Shqetësimi i këtyre banorëve për gjendjen që jetojnë prej 20 ditësh është i papërshkrueshëm. Kanë humbur gjithshka. Uji u ka dëmtuar edhe atë të nesërme të varfër që kishin përgatitur me mund e sakrifica. Një grua e moshuar do t’i drejtohej kështu Kryetarit Rama: “Kanë hek pompat, se ka i kanë cu e dinë ata se ka i kanë cu. Na tash jena myt në ujë. Në fillim të dimrit, llogarite tash se ku shkojmë na. Me bagëti, me ushqimin e bagëtive, me gjithça jena të mytun. Jena të mytun. Veç rrena. S’na ka mbet gjë, veç me dek.”
Kryetari i komunës dha më tepër sqarime për atë se çfarë ka ndodhur, duke u përqendruar në faktin se nuk dihet ku kanë shkuar fondet për hidrovorin e ri të financuar nga Banka Botërore: “Është një fond i Bankës Botërore prej 2.5 mliardë lekë dhe nga këto lekë nuk janë vënë as 10% në dispocizion të hidrovorit. Janë hequr pompat e mëdhaja dhe ku kanë shkuar e dinë ata që i kanë çmontuar.”
Edi Rama pasi i ka dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimet e këtyre banorëve që e kanë të pamundur mbijetesën nën pushtetin e ujit u shpreh se është koha të ndalet ky rrënim që pushteti i sotëm vetëm e thellon çdo ditë, është koha që fshati shqiptar të rilindë: “U bë 100 vjet pavarësi, 100 vjet shtet dhe kurrë shqiptarët nuk kanë dëgjuar ndonjëherë kaq shumë rrena. Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pas probleme deri edhe ekzistence, ndërkohë që kjo është koha e lirisë. Kjo është kohë kur secili me punën e meritën e vet t’ia dalë dhe ta ketë shtetin në krah.
Është një çështje e së ardhmes. Është koha për ta ndalur këtë rrënim që vazhdon dita ditës dhe për të krijuar kushtet që ta Rilindim Shqipërinë, ta Rilindim Fshatin, ta rilindim shpresën dhe besimin në çdo komunitet. Ti japim jetë një qeverie për njerëzit dhe me njerëzit.”
Kryetari i PS është angazhuar në këtë zonë se PS brenda mandatit të parë të saj do të zgjidhë përfundimisht problemin e ujitjes dhe kullimit në mbarë vendin. Partia Socialiste në qeveri do ti japë zgjidhje problemit të uljes së kostove të prodhimit dhe pamundësisë për të gjetur tregje për produktet bujqësore: “Ne do të jemi ditë natë të angazhuar për të garantuar që ujitja dhe kullimi të jenë të garantuara kudo ku njerëzit punojnë tokën dhe kudo njerëzit jetojnë me tokën. Ne do të bëjmë çmos, do të jemi ditë natë të angazhuar për të garantuar kostot e prodhimit të ulen dhe që puna me tokën mos jetë vetëm mbijetesë, po të sjellë mirëqenie në mënyrë që fëmijët në fshat të rriten siç e meritojnë. Ne do jemi të angazhuar ditë natë që ai prodhim që do dalë si rezultat i politikave të reja në lidhje me fshatin të mund të gjejë treg e jo të hidhet në lumë siç ndodh në shumë zona apo që njerëzit detyrohen të dalin në anë të rrugës duke pritur se kush do vijë të blejë një kile domate a një kile mollë,” përfundoi Kryetari Rama.

KOMENTE