English

Flamuri do të mbërrijë në Vlorë në 28 nëntor. Grupi i shqiptarëve të Kosovës, niset nga Gjilani në këmbë

Një gjest që të ngjall po aq emocione sa ata njerëz që i përjetuan ditën e vërtetë të ngritjes së flamurit në Vlorë në 28 nëntor 1912.
Pas 100 vjetësh historia do të përsëritet përsëri por në mënyrë simbolike prej një grup shqiptarësh nga Kosova që me nismën e tyre patriotike dhe me lumturinë në shpirtin e tyre dhe me bekimet e të gjithë shqiptarëve anembanë të përsëritin ngritjen e flamurit ashtu si 100 vjet më parë.

Presheva, Medvegja e Bujanoci do ta dërgojnë në Vlorë Flamurin Kombëtar e përfaqësues të këtyre komunave janë nisur në këmbë këtë të shtunë, për të arritur në qytetin e shpalljes së pavarësisë pas tetëmbëdhjetë ditësh udhëtimi.

Moti i ftohtë dhe mjegulla që ka rënë këtë nëntor, nuk kanë penguar Ekrem Avdiun (Gjilan), Dilaver Musliun (Preshevë), Gani Shaqirin (Bujanoc) dhe Nazim Ajdinin (Medvegjë), të cilët të me veshje kombëtare e me plisa në kokë janë nisur nga qendra e Gjilanit në drejtim të Ferizajt, për të vazhduar më pas në Shtimje, Suharekë, nëpër autostradën “Ibrahim Rugova”, për të mbërritur në Prizren e më pas Kukës. Katër bartësit e Flamurit Kombëtar, do të vazhdojnë nëpër autostradën e Kombit, nëpër Rrëshen, Milot, Vorë e për të mbërri në Durrës, Kavajë e Fier e më pas për të marrë rrugë për Vlorë.

Në Gjilan, ata janë përcjellë nga familjarë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetar të komunave të Kosovës, por edhe të atyre në Kosovën Lindore. Ata bartnin në dorë Flamurin Kombëtar me mbishkrimin “Njëqind vjet shtet, Gjilan – Vlorë 1912 – 2012”.

Rrugëtimi i këtyre katër veprimtarëve ka një simbolikë, atë se tashti kur kanë kaluar 100 vite, Presheva, Medvegja e Bujanoci nuk janë as me Kosovë e as me Shqipëri, por kanë ngelur nën Serbi e vullneti i banorëve të kësaj ane do të bartet në Vlorë.

Siç ka theksuar Ekrem Avdiu, prijës i këtij grupi, udhëtimi do të zgjas tetëmbëdhjetë ditë, kurse në ditë mesatarisht do të kalojnë 25 – 30 kilometra dhe gjatë tërë këtij marshimi asnjëherë nuk do të udhëtohet natën. Ai tha se me vete kanë të gjitha gjërat e nevojshme, mbi të gjitha kanë Flamurin që do ta dërgojnë në Vlorë, derisa edhe tre bashkudhëtarët tjerë kanë nga një flamur më të vogël, që shënon 100 vjetorin e shtetit shqiptar.

Ky udhëtim ka një simbolikë, atë se në Vlorë po udhëtojnë tri komuna të Kosovës Lindore, Presheva, Medvegja e Bujanoci, të cilat kanë qenë dhe do të jenë pjesë e trungut shqiptar.

“Para se të nisemi i kemi dhënë besën njëri-tjetrit se Flamuri që bartim patjetër do të mbërrijë në Vlorë dhe atë asgjë nuk do të mund ta ndalë, as vdekja e ndonjërit nga ne”, ka thënë Ekrem Avdiu e në Vlorë ata nuk do të hyjnë as para datës 28 nëntor e as pas asaj dite, por pikërisht në ditën kur para 100 viteve, Ismajl Qemali kishte shpallë Shqipërinë shtet indipendent e të mosvarëm.

Pjesë e këtij grupi udhëtarësh është edhe Dilaver Musliu, i moshës 66- vjeçare, i cili thotë se kur e di se në çfarë misioni janë nisur, i duket vetja sikur të ishte i ri, andaj ai beson se nuk do ta lodh rruga e gjatë.

Përfaqësuesit e komunave të Kosovës Lindore më 28 nëntor 2012, Flamurin do t’ia dorëzojnë ndonjërit prej personaliteteve më larta në Shqipëri që do të jetë pjesëmarrës në manifestimin qendror, presidentit Bujar Nishani apo kryeministrit Sali Berisha.

Në Gjilan, nga institucionet rrugë të mbarë këtij grupi i ka dëshiruar nënkryetari Omer Daku, i cili nismën e këtyre katër përfaqësuesve e ka quajtur vullnetare edhe atë në 100- vjetorin e shtetit shqiptar, duke thënë se kjo është një nismë e mirë, që ka për qëllim bartjen e Flamurit Kombëtar nga Gjilani në Vlorën heroike.

Ai u ka uruar këtyre udhëtarëve shëndet e rrugëtim të mbarë dhe u ka dëshiruar të arrijnë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

KOMENTE