English

Meshari i Gjon Buzukut ekspozohet për herë të parë në bibliotekën kombëtare Tiranë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mbrëmje, në ekspozimin për herë të parë, të Mesharit të Gjon Buzukut, librit më të vjetër në gjuhën shqipe, (1555), në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri. Me një marrëveshje të qeverisë shqiptare me Selinë e Shenjtë, u bë e mundur që ekzemplari unikal i Meshari të Buzukut të dërgohet nga biblioteka Apostullore e Vatikanit dhe të ekspozohet për publikun shqiptar, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Meshari është ekspozuar përkrah librave, të një rëndësie të madhe historike gjithashtu, të Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Arbërit e Kuvendit të 1706, Varibobës, Kazazit etj..

Kryeministri Berisha e konsideroi ekspozimin e Mesharit për herë të parë në Shqipëri, një ngjarje të madhe kombëtare dhe falenderoi Vatikanin për ruajtjen e shkëlqyer që i është bërë këtij dokumenti të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe.

“Një mirënjohje të thellë i shprehim Selisë së Shenjtë, Bibliotekës së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe, të shkruar në atë kohë, në alfabetin latin, në atë alfabet që shkruhet edhe sot kjo gjuhë.”

Ndërsa e cilësoi Mesharin një “kryevepër të gjuhës sonë liturgjike”, Kryeministri nënvizoi se identiteti kombëtar shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën shqipe dhe sa më shumë të hulumtojmë rrënjët e ecurinë e saj, aq më shumë kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit të kombit. Kryeministri tha se gjuha liturgjike, si gjuha më e hershme e shkruar e kombit, e cila përbënte edhe gjuhën zyrtare të tij, duhet të rizë vendin e saj në gjuhën shqipe.

KOMENTE