Gjatë qëndrimit të vizitës së tij dy ditore në Tiranë, Ministri Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, është është takua dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Në këtë takim, z. Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e tij personale, të qeverisë dhe popullit të Kosovës, për kontributin që z. Basha ka dhënë për Kosovën. Ministri Hoxhaj nënvizoi faktin që numri më i madh i shteteve që kanë njohur Kosoven, ka qenë në kohën kur Ministria e Jashtme drejtohej nga z. Basha.
”E falenderova për një përkrahje të madhe që ka i ka dhënë Kosovës, në një kohë kur ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme, një axhendë të cilën unë po e vazhdoj më po ashtu edhe homologët tanë në Shqipëri e vazhdojnë edhe më tutje. Po ashtu, i tregova që procesi i njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, është një proces i pandalshëm, që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, që njohja e Kosovës e ka një gjeografi globale dhe që fortësimi i pozitës tonë ndërkombëtare po ndodh çdo ditë e më tutje. Dua ta falënderoj për mbështetjen që i jep Kosovës dhe të ardhmes së Kosovës dhe pa dyshim ky takim me mikun tim , me Kryetarin e Bashkisë është edhe një inspirim për çdo qytetar të Kosovës” - u shpreh z. Hoxhaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vlerësuar punën e madhe që po bën Ministria e Jashtme dhe qeveria e Kosovës, për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe vijimin e njohjes ndërkombëtare të tij.
“Kisha kënaqësinë e veçantë të pres sot në Bashkinë e Tiranës, Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Enver Hoxhaj, të cilin pata rastin ta përgëzoj personalisht, për punën, përkushtimin e tij dhe të institucionit që drejton, në mbarëvajtjen e sfidës së madhe të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, proces ky i pandalshëm që po ecën përpara çdo ditë, drejt realizimit të etapave të ndryshme të konfirmimit të këtij realiteti të qendrueshëm që i ka sjellë Ballkanit dhe që në shumë forma dhe mënyra, mbart edhe çelësin e evropianizimit të tij të plotë. Të njëjtin vlerësim ndava edhe për performancën e qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe përfaqësuesve të të zgjedhurve vendorë, një pjesë të madhe të të cilëve kam pasur kënaqësinë t’i pres këtu në Tiranë dhe me të cilët kemi vendosur ura bashkëpunimi bilateral si dhe një mirëkuptim të farkëtimit të bashkëpunimit të pushtetit vendor në Shqipëri dhe në Kosovë por edhe në treva të tjera të shqiptarëve në Ballkan, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe rikuperimin e atij hendeku që historia e hidhur, e mbyllur më 12 qershor 1999, na rezervoi” - tha Basha.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e njohu z. Hoxhaj me bashkëpunimin e vendosur me një sërë komunash nga Kosova dhe iniciativën e Bashkisë së Tiranës, për t’iu bashkuar nismës së komunës së Mitrovicës, “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.
“Në kuadër të 100 vjetorit, e informova për iniciativat e shpalosura këtë vit, me emërtimin e një prej rrugëve kryesore, me emrin e Presidentit Ibrahim Rugova në Tiranë, me shpalosjen e shtatores së komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari po në Tiranë si dhe iniciativa të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e rolit të pushtetit vendor, në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare por edhe në ndërtimin e një trashëgimie që do u shërbeje brezave, sa i përket historisë që kemi kaluar dhe pa dyshim historisë shumë më të mirë që na pret përpara” – theksoi z. Basha.
Z. Hoxhaj e ka konsideruar një shenje të ecurisë së shqiptarëve, vizitën e tij në Tiranë, në nëntorin e 100- të Pavarësisë.
”Vizita e ime si Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës në Tiranë në këtë nëntor, në nëntorin e vitit 2012, është pa dyshim dëshmia më e mirë, se sa ka arritur kombi ynë dhe se sa progres ka bërë shteti shqiptar dhe se sa progres ka bërë Republika e Kosovës. Propozimi i Komisionit Evropian për Shqipërinë, që të marrë statusin e kandidatit, propozimi i njëjtë i Komisionit Evropian për Kosovën, që të nënshkruajë marrëveshjet e Stabilizim - Asocimit, janë dëshmia më e mirë e rikthimit tonë të plotë në Evropë” – u shpreh Ministri i Jashtëm i Kosovës.
Nga ana e tij, z. Basha e ka informuar Ministrin e Jashtëm të Kosovës edhe për iniciativën e tij, për të krijuar Asamblenë e të Zgjedhurve Vendorë Shqiptarë, iniciativë e cila është mirëpritur nga homologët e tij që nga Prishtina, Mitrovica, Tetova, Çairi, Gostivari, Ulqini por që do të shtrihet edhe me të zgjedhurit vendorë me origjinë shqiptare, në Italinë e Jugut, në SHBA, Turqi e kudo ku ndodhen. Kjo iniciativë, sipas Kreut të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha ka si qëllim shkëmbimin e vlerave dhe eksperiencave, krijimin e një rrjeti që i shërben bashkëpunimit në rritjen e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të konsoliduar dhe zhvilluar më tej traditat dhe zakonet e shqiptarëve.
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar këtë vizion të z. Basha, për promovimin e vlerave më të mira të shqiptarëve, vëmendjen që vazhdon t’i kushtojë Kosovës, edhe në krye të Bashkisë së Tiranës, sikundër ka kërkuar që të ushtrojë influencën e tij tek kryetarët e bashkive të vendeve të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, për të nënshkruar marrëveshje binjakëzimi me komunat e Kosovës.