Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, prej datës 10 nëntor, në sheshin qendror të qytetit Worcester, Massachusets do të valëvitet flamuri shqiptar, flamur i dhuruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Worcester është qyteti me më shumë shqiptarë në SHBA. Pikërisht nga ky qytet mori jetë nisma e bashkimit të patriotëve, që përmes presidentit Woodrow Wilson bënë të mundur që në mbarë botën, Shqipëria të njihet si shtet sovran.
Përmes një mesazhi të veçantë të lexuar gjatë mbrëmjes gala, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, për arritjen në këtë stad të lirisë, zhvillimit dhe integrimit, ku shqiptarët ndodhen sot. Në mesazhin e tij, z. Basha shkruan:
“Të dashur anëtarë të Komitetit Organizativ të Festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, në Worcester, të dashur bashkëkombës; të nderuar miq amerikanë, aleatë dhe partnerë të përjetshëm të shqiptarëve!
Për mua është një privilegj i veçantë, t’ju përcjell nga kryeqendra e shqiptarëve, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta, për gjithçka që ju bëtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, çdo shqiptar i ri apo i moshuar, i lindur ose jo në Shqipëri e kremton me krenari këtë ditë dhe i falet Zotit, që sot ne jemi më të lirë dhe me të sigurtë se kurrë në historinë tonë.
Ky 100 vjetor është edhe një moment, për të kujtuar të gjithë ata që kontribuan për t’ia arritur kësaj dite, miqtë dhe aleatët tanë. Rruga jonë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Pak kombe kanë përjetuar atë padrejtësi që u është bërë shqiptarëve në shekuj. Ne ia kemi dalë të mbijetojmë, edhe falë një miku të madh, një aleati të përjetshëm e strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në momente të vështira, kur diskutohej ekzistenca jonë, ne u mbështetëm fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetje e cila vazhdoi edhe më pas, me pavarësinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i rëndësishëm, në proceset e zhvillimeve demokratike dhe integrimin në strukturat euro - atlantike të Shqipërisë. Falë mbështetjes së jashtëzakonshme të SHBA, Shqipëria është sot anëtare e aleancës më të fuqishme të sigurisë, Kosova është e pavarur dhe shqiptarët në trojet e tyre por jashtë kufijve shtetërorë, gëzojnë më shumë të drejta dhe janë më të sigurtë për të ardhmen e tyre.
Një rol të veçantë dhe ndër më vendimtarët, në arritjen e këtij stadi ku shqiptarët janë sot, ka luajtur diaspora shqiptare në SHBA, prandaj sot përulemi me mirënjohje të thellë para jush dhe paraardhësve tuaj, bijtë dhe bijat e shqipes në Amerikë, që për asnjë çast nuk e harruat Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët.
Tirana është sot kryeqendra e shqiptarëve dhe krenaria jonë. Unë jam i vendosur t’i jap kryeqytetit të shqiptarëve gjithçka që i mungon, për të qëndruar denjësisht mes kryeqendrave të tjera botërore. Unë jam shumë i lumtur që flamuri ynë kombëtar i cili vjen drejtpërdrejt nga Tirana, nga sheshi “Skënderbej”, posaçërisht për 100 vjetorin e Pavarësisë, do të valëvitet krenar edhe në qytetin tuaj të Worcester, Massachusets.
Më lejoni që nga kryeqendra e shqiptarëve, t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit tonë kombëtar!”
Komiteti Organizativ i Festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, në Worcester ka falënderuar z. Basha, për vëmendjen që i kushton komunitetit shqiptar, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë:
Dëshirojmë t’ju falënderojmë për vëmendjen që po i kushtoni komunitetit shqiptar në Worcester, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju shprehim mirënjohjen tonë të thellë, për kontributin tuaj në festën e 100 vjetorit të Pavarësisë, në Worcester. Dhurimi i flamurit është akti më i bukur dhe fisnik i festës që po organizohet në një nga qytetet me komunitetin më të madh dhe më të vjetër shqiptar, në Amerikë. Prej datës 10 nëntor, ai do të valëvitet në sheshin e qytetit, pranë Bashkisë së Worcesterit, duke ia bërë atdheun më të afërt, 20 mijë shqiptarëve që jetojnë këtu.
Për çdo shqiptar të mërguar sot apo dekada më parë, ngritja e flamurit do të thotë nderim ndaj atdheut, nderim ndaj sakrificave të paraardhësve që shpallën Shqipërinë të pavarur, nderim ndaj çdo shqiptari që sot jep kontributin e tij modest për imazhin e Shqipërisë.
Dhurimi i flamurit kombëtar dhe mesazhi juaj z. Basha, janë një pjesë tejet e rëndësishme e festës së madhe të Pavarësisë, pasi këtë vit ngritja e flamurit në qytetin tonë, është kulmimi i të gjitha aktiviteteve që shtatë shoqata shqiptaro-amerikane kanë zhvilluar, që nga fillimi i këtij viti solemn në historinë e kombit tonë.
Gëzuar Festën e Pavarësisë!
Në shenjë mirënjohje, bashkësia e hebrenjve të qytetit, përmes z. Jesse Kaplan dorëzoi një çertifikatë për Shqipërinë dhe shqiptarët që ndihmuan hebrenjtë gjatë holokaustit. Me një vendim të veçantë, qyteti i Worcester e quan 28 Nëntorin, si Dita e Flamurit të Shqipërisë. Një çelës simbolik iu dhurua 100 vjeçarit Savo Gaba, si shenjë e emigrimit të hershëm të shqiptarëve, në Worcester.