Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, u takua dhe zhvilloi sot bisedime zyrtare me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë.
Vend parësor në bisedime zuri intensifikimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik. Të dy ministrat konstatuan me kënaqësi trendin gjithnjë në rritje të bashkëpunimit ekonomik, pesëfishimin e shkëmbimeve ekonomike gjatë 5-6 viteve të fundit.
Nisur nga simbolika e 100 Vjetorit të shtetit shqiptar të dy ministrat theksuan domosdoshmërinë e riorientimit të shkëmbimeve ekonomike në të dy vendet, për të shfrytëzuar më me efektivitet infrastrukturën moderne rrugore të krijuar në të dy anët e kufirit, me synim krijimin e një tregu ekonomik mbarë shqiptarë në rajon.
Të dy ministrat shqyrtuan rrugët dhe mundësitë e krijuara për një koordinim dhe bashkërendim më efikas mes dy MPJ-ve, në shërbim të shtimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizma rajonalë, evropianë e më gjerë.
Zhvillimet e fundit në rajon, në funksion të integrimeve rajonale të Kosovës e më gjerë, ishin gjithashtu pjesë e agjendës së bisedimeve.
Ministri Panariti informoi kolegun e tij për lobimin e zhvilluar në OKB në favor të njohjeve të reja, për qëndrimin konsekuent të Shqipërisë në organizmat rajonalë e më gjerë, si dhe për takimin e zhvilluar së fundmi me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, z. Mrkic.
Ministri Hoxhaj informoi për dy takimet e zhvilluara mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me Kryeministrin e Republikës së Serbisë, z. Ivica Daçiç, duke nëvizuar se bisedimet zhvillohen duke pasur për bazë Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Paketën Ahtisari.
Pas takimit të dy ministrat e Jashtëm mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, gazettarët e pyetën ministrin shqiptar të Jashtëm Emond Panariti, se sa shqetësues e sheh shefi i diplomacisë shqiptare qëndrimin kundërshtues të Qeverisë së Hollandës, për atë që thuhet në progres raport për Shqipërinë.
"Më lejoni të theksoj se ky nuk është një qëndrim ende zyrtar i Qeverisë së holandeze, pasi për të marrë një qëndrim final ka edhe akoma dy muaj kohë. Pritet që vendimi përfundimtar për dhënien e statusit të ndodhë në dhjetor dhe deri atëherë ka kohë. Dhe që kjo të mundësohet në radhë të parë politika shqiptare duhet të bejë detyrat e saj të shtëpisë, t'i kalojë sa më shpejt ato ligje që kërkojnë tre të pestatt përkatësisht dy ligje dhe një rregullore", tha Panariti.
Gjithashtu Panariti u pyet për deklarimet e djeshme të ministrit të jashtëm grek Avramopolus në parlamentin grek, kur tha se tek fqinjët veriorë të Greqisë është duke u shtuar shovinizmi.
"Jam njohur me deklarat e ministrit Avramopulos, në lidhje me pretendimin e tij për një shtim të shovinizmit në rajon. Kam përshtypjen se ka parasysh edhe Greqinë në këtë rast, jo vetëm fqinjët e tij veriorë. Ne duhet të bëjmë ç'është e mundur të kontrubojmë pikërisht në shtimin e bashkëpunimit dhe dialogut për të frenuar këto tendeca shoviniste, të cilave u referohet ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë", tha Panariti.
Ministri Panariti shprehu edhe qëndrimin e Shqipërisë përballë zhvillimeve të reja pas nënshkrimit të kontratës për kërkim nafte në zonën detare mes Greqisë dhe Shqipërisë.
"Nuk mund të ketë absolutisht asnjë fillim aktiviteti ekonomik, në një zonë për të cilën nuk është arritur edhe nuk ka asnjë lloj marrëveshje të ekskluzivitetit ekonomik. Ju e dini që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë e anulon marrëveshjen e mëparshme dhe në këtë moment që flasim midis Greqisë dhe Shqipërisë nuk ekziston asnjë marrëveshje për demilitimin e ujrave apo ndarjen e zonave të karakterit ekonomik", tha Panariti.