Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e hapësirave sociale i kanë detyruar të zgjedhin emigracionin, jetën në tokë të huaj, por ata vazhdojnë të mbeten një pjesë vitale e shoqërisë shqiptare, gjithmonë mjaft të interesuar për zhvillimet politike, ekonomike e më gjerë në shtetin amë. Partia Socialiste e Shqipërisë, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e emigrantëve shqiptarë, që jetojnë në vende të ndryshme të botës, por me mendjen gjithmonë nga Shqipëria, ka përcaktuar si një prioritet të punës së saj forcimin e lidhjeve me këtë shtresë të popullsisë.
Sekretari për Emigracionin në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Kryetari i PS Dega Itali dhe nënsekretari i PS për Emigracionin, zhvilloi një sërë takimesh me emigrantë dhe përkrahës të PS-së në Milano, Monza dhe Trento të Italisë. Pasi është njohur nga afër me hallet dhe shqetësimet e tyre Veliaj u ka shpjeguar të pranishmëve në takime pikat kryesore të programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”.
Ai ka theksuar se në këtë program është parashikuar një partneritet i plotë me emigrantët shqiptarë nëpër botë, për t’i bërë ata të ndihen pjesë e rimëkëmbjes ekonomike e sociale të vendit. Partia Socialiste ka qenë e para dhe e vetmja forcë politike që ka kërkuar dhe kërkon me forcë krijimin e mundësisë së pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të emigrantëve shqiptarë në shtetet ku ata ndodhen. Veliaj është shprehur se me ardhjen në pushtet të PS-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm realizimi i këtij objektivi do të jetë prioritet i punës së qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Gjithashtu, në takime është diskutuar gjerësisht për situatën social ekonomike dhe politike në Shqipëri, ku pjesëmarrësit kanë komentuar dhe bërë pyetje të detajuara në lidhje me problemet që ata vetë kanë identifikuar e ndjerë në Shqipëri, si dhe programin e Partisë Socialiste për mirëqeverisjen dhe rilindjen e vendit. Më tej në takime janë diskutuar tematika të ndryshme të lidhura me problemet që hasin emigrantët shqiptarë në Itali, si problemet me legalizimin e dokumenteve, sigurimet shoqërore e shëndetësore, dhe marrëdhëniet e emigrantëve me administratën konsullore shqiptare.
Gjithashtu, emigrantët u informuan edhe për nismën më të fundit të Partisë Socialiste në lidhje me emigrantët. Kryetari i Partisë Socialiste do të ndërmarrë një tur për të takuar shqiptarët emigrantë në Itali dhe Greqi, ku vend-takimi do të përcaktohet nga ata vetë, përmes përfshirjes në rrjetet sociale. Qyteti në Itali dhe Greqi që do të gjenerojë më tepër postime me ëndrrat e tyre për Shqipërinë e Rilindur, në aplikacionin e krijuar posaçërisht për emigrantët në rrjetin Facebook, do të vizitohet nga Kryetari i PS Edi Rama.