Gjuhëtarët thonë se ka ardhur koha kur duhet bërë një verifikim i standardit të gjuhës shqipe, rishikimi i të cilit të eci mbi standardin ekzistues, pa e cënuar atë por më parë duke bërë një studim të ri që lidhet me ndryshimet ndër dekada të vendit dhe popullit.
Dekani i Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, Shezai Rrokaj ka deklaruar se gjuhës shqipe duhet t'i bëhen rregullimet e nevojshme, por pa e cënuar standardin e saj. Sipas Rrokaj duhen studime të mirëfillta të brendshme të folklorit, etnologjisë dhe jo t'i kushtojmë rëndësi gjuhësisë historike të jashtme.
Më tej Rrokaj nënvizoi se duhen bërë rregullimet e nevojshme të gjuhës sipas rregullave që janë përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit.
Deklarata e dekanit Rrokaj është bërë në aktivitetin ‘Java e Albanologjisë’, që organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, transmeton News 24.
“Të bëhen edhe rregullimet e nevojshme, për rregullat që janë përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit sepse ne tanimë kemi një periudhë gjatë së cilës shqiptarët e kanë përdorur dhe përdorin standartin. Kjo periudhë tashmë në mundëson të bëjmë verifikimet e kësaj natyre dhe të bëjmë ato ndreqje të nevojshme, pa e cënuar standartin dhe jo ti kushtojmë një rëndësi asaj që quhet gjuhësi historike e jashtme sic kemi pasur prirje deri sot”,- deklaroi Rrokaj.
I pranishëm në “Javën e Albanologjisë”, ka qenë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj i cili deklaroi se Austro-Hungaria dhe SHBA kanë qenë dy shtetet që mbështetën fort pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa duke iu referuar përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, Hoxhaj largimin e Pitter Feith nga Kosova e krahasoi me largimin e princ Vidit nga Shqipëria.
“Nuk ma merr mendja se ka shtet, i cili ka qënë më i vendosur në krijimin e shtetit shqiptar sesa vet Austro-Hungaria. Në shembullin e Kosovës roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Ëashingtonit ka qënë përcaktues. Më 10 shtator Republika e Kosovës e largoi mbikëqyrjen ndërkombëtare. Largimi i Pitter Feith nga Prishtina, ishte njësoj si largimi i princ Vidit nga Shqipëria",- tha Hoxhaj.
“Java Albanologjike” organizohet nga Fakulteti i Histori dhe i Filologjisë në Universitetin e Tiranës në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë ku me këtë rast u promovua edhe libri “100 vjet Pavarësi e Shtetit Shqiptar”