English

Shtypi ushtarak në 100-vjetorin e Forcave të Armatosura

Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, si dhe të 100-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve Ushtarake zhvilloi sot konferencën me temë:

“Shtypi ushtarak në 100-vjetorin e Forcave të Armatosura-Historia e shtypit ushtarak dhe sfidat e pritshme të informimit në FA”. Në këtë veprimtari morën pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë nga Forcat tona të Armatosura, ish-drejtues, gazetarë dhe punonjës që kanë punuar ndër vite në shtypin ushtarak, si dhe mjaft të ftuar të tjerë nga shtypi i përditshëm i shkruar dhe media elektronike.

Fjalën e hapjes së konferencës e mbajti drejtori i Drejtorisë së Publikimeve pranë Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, z. Lavdrim Lita, i cili, duke folur për historikun e shtypit ushtarak, ndër të tjera theksoi se “ai është arkiva e gjallë e Forcave tona të Armatosura”. Konferencën e përshëndeti ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami. “Sot është një ditë e shënuar që ne kujtojmë, analizojmë dhe mendojmë për të ardhmen e shtypit ushtarak, - tha ministri Imami. Padyshim që shtypi ushtarak ka luajtur një rol të posaçëm në historinë e Forcave të Armatosura në këto 100-vjet, pikësëpari duke dokumentuar, komunikuar dhe duke bërë akoma më transparente punën e FA gjatë kryerjes së misionit të tyre kushtetues, brenda dhe jashtë vendit, çka na bën të mendojmë se ai ka një vlerë të vërtetë dhe të paçmuar”.

Shtypi ushtarak, ka vijuar më tej z. Imami, ka një detyrë të madhe, ka detyrën e komunikimit dhe të bërit të njohur të atyre modeleve më të mira të sjelljes, të përkushtimit dhe të sakrificës së ushtarakut tonë në këto 100-vjet. Dhe kjo ushtri, kjo FA, që nga krijimi i saj, padyshim që kanë dhënë heronjtë dhe dëshmorë të shquar, një pjesë të të cilëve unë kam pasur fatin t’i dekoroj, duke nisur që nga ata që kanë jetuar e punuar në fillim të shekullit të kaluar, si Kasem Sejdinin, duke vazhduar me Mujo Ulqinakun dhe deri në dëshmorin më të ri të kësaj ushtrie, kapiten Feti Vogli. Padyshim këta edhe qindra e mijëra dëshmorë të tjerë të Luftës së Vlorës, Luftës së Dytë Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorë të tjerë që kanë rënë pas viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Duke u ndalur në rëndësinë që ka rritja e nivelit të shtypit ushtarak, ministri Imami theksoi rëndësinë që ka për të ardhmen dixhitalizimi i arkivit dhe shtypit në mënyrë që të rritet eksesi në shfrytëzimin e të dhënave dhe mundësia për studime në këtë fushë, që e gjithë kjo pasuri, e cila është pasuri e Forcave tona të Armatosura, por edhe publikut të gjerë, të bëhet me të vërtetë një pronë e këtij publiku. Në këto vitet e fundit, në veçanti revista Mbrojtja ka bërë hapa të dallueshme përpara, si nga pikëpamja e cilësisë, rëndësisë së përmbajtjes së saj substanciale, por në veçanti për të qenë një revistë prestigjioze edhe nga mënyra e paraqitjes së saj. Kemi bërë përpjekje për të forcuar së pari Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, për të rritur transparencën dhe komunikimin me publikun. Ne po punojmë për të ngritur Muzeun e Forcave tona të Armatosura dhe këto ditë do të hapim një ekspozitë për 100- vjetorin e tyre. Së shpejti, Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes do të vendoset në një godinë të re që ndodhet brenda hapësirës së Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

“Në këtë takim, i cili është takimi i parë me të cilin ne po hapim 100-vjetorin e krijimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FA, tamam-tamam emërimin e ministrit të parë të Mbrojtjes, njeriut të madh dhe të shquar siç ishte Mehmet Pashë Dëralla, - është shprehur ministri Imami, - gjej rastin të falënderoj në mënyrë të posaçme të gjithë ata që në këto 100 vite kanë dhënë kontribut në këtë fushë. Ky është një kontribut i cili është i lidhur drejtpërdrejtë me thelbin e ushtrisë, nuk është një element shtesë, nuk është një element i make up-it të ushtrisë tonë. Ky është një element i domosdoshëm për të treguar se çfarë bëjnë gratë dhe burrat në Forcat tona të Armatosura për t’i paraqitur ato në frymën dhe dritën më të mirë dhe jo vetëm për të edukuar një ndjenjë të nevojshme patriotizmi qytetar në FA. Çdo njeri, çdo qytetarë i botës së lirë ku bën pjesë sot Shqipëria, çdo qytetarë i një vendi demokratik duhet ta ketë një patriotizëm qytetarë, jo me nuanca ekstremiste dhe të nacionalizmit të sëmurë, por një patriotizëm që edukon qytetarët me ndjenjën e komunitetit, me ndjenjën e sakrificës për këtë komunitet çka në mënyrën më të shkëlqyer e bëjnë Forcat tona të Armatosura”. Në fund, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka theksuar edhe njëherë mbështetjen e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për forcimin dhe rritjen e mëtejshme të rolit dhe të rëndësisë së shtypit tonë ushtarak.

Më tej punimet e kësaj konference kanë vijuar me mbajtjen e disa kumtesave dhe diskutimeve si: “Konteksti historik i shtypit ushtarak”, 1912-1931, mbajtur nga prof. dr. Bashkim Gjergji; “Buletini dhe e përkohshmja ushtarake, 1931-1939”, nga prof. dr. Bernard Zotaj dhe prof. dr. Zaho Golemi; ndërsa ish-gazetarët e vjetër Ibrahim Gani, Thanas Tane, Agustin Gjinaj etj, sollën kujtime dhe detaje nga jeta dhe puna e tyre si gazetarë ndër vite në shtypin ushtarak. Konferencën në fund e përshëndeti edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.
Kjo konferencë kishte si qëllim që të jepte një dimension të plotë, thuajse një shekullor të punës së shtypit ushtarak shqiptar që nga data e publikimit të parë e deri në ditët e sotme, si dhe për të bërë një vlerësim për rolin dhe vendin që zë shtypi ushtarak në sferën e sigurisë. Konferenca ishte konceptuar mbi bazën e një tematike qendrore, rreth së cilës ishin orientuar edhe kumtesat e pjesëmarrësve, të cilat kishin një shtrirje që përfshinte gjithë hapësirën e veprimtarisë së shtypit ushtarak. Ligjëratat dhe diskutimet u mbajtën nga persona që kryesisht kanë qenë pjesë e brezave të ndryshëm të gazetarisë së shtypit ushtarak. Krahas tyre kishte edhe prezantime historike nga profesorë që kanë hulumtuar dhe studiuar në këtë fushë. Për t’i bërë më tërheqëse prezantimet me zë herë pas here u shfaqën në ekran edhe pamje të cilat kishin lidhje me këto kumtesa.
Konferenca u shoqërua edhe me çeljen e një ekspozite, e cila ishte ndërtuar me materiale origjinale të publikuara ndër vite nga ushtria shqiptare, ku jepej një pasqyrë vizuale e punës së shtypit ushtarak. Revistat, gazetat, broshurat, buletinet etj, që ishin paraqitur në ekspozitë tregonin gjithashtu edhe për jetëgjatësinë e shtypit ushtarak në dekada. Burimi kryesor i këtyre materialeve ishte Biblioteka Kombëtare, Biblioteka e Akademisë së Mbrojtjes dhe Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes.

KOMENTE