Sot në Tiranë është organizuar takimi kombëtar për Fuqizimin e Autoriteteve Vendore në Procesin e Planifikimit dhe të Administrimit të Territorit, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe e mbështetur nga USAID-i, përmes projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.
Në këtë takim të rëndësishëm ka qënë i pranishëm dhe kryeministri Berisha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, përfaqësues të USAID-it, si dhe kryetarë të komunave e bashkive të vendit.
Kryeministri Berisha e vlerësoi si tepër të rëndësishëm mbajtjen e këtij takimi, duke u shprehur se planifikimi i territorit është një ndër fushat më parësore dhe më të rëndësishme për zhvillimin dhe jetën e qytetarëve. Më tej, Kryeministri kërkoi nga drejtuesit e pushtetit lokal që të bëjnë gjithçka për të përfunduar planet urbanistike tërësore dhe të shmangin studimet apo planet urbanistike pjesore, të cilat, sipas Kryeministrit, shpesh janë gjenerator i një pabarazie dhe deformimi të madh të hapësirave në qytetet tona.
Kryeministri nënvizoi, gjithashtu, se është e rëndësishme që këtij procesi t’i paraprihet me plane të qarta, plane të cilat mirëpresin, pasi një vend i lirë e ka të pacenueshme lëvizjen e lirë të qytetarëve. “Qytetarët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se do të lëvizin në çdo skaj të këtij vendi, kudo që dëshirojnë të banojnë. Kjo është arritje e tyre konstante, e pandryshueshme. Detyra jonë është të planifikojmë, t’i paraprijmë këtij fluksi të madh dhe të shmangim atë që ndodhi gjatë 20 viteve të shkuara”, tha Kryeministri.
Duke përshëndetur të gjitha përpjekjet për të krijuar një bazë solide ligjore, Kryeministri Berisha i garantoi drejtuesit e pushtetit lokal se qeveria do të bëjë gjithçka t’i mbështetur.