English

Haxhinasto: TAP në Shqipëri mundësia më e madhe për zhvillimin e vendit

Në simpoziumin për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri, që u zhvillau ditën e djeshme, të pranishëm ishin Zv. Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, kryeministri z. Sali Berisha, ambasadori i Bashkimit Europian, z. Ettore Sequi, drejtori menaxhues i Trans Adriatic Pipeline, z. Kjetil Tungland, etj. Në fjalën e tij, z. Haxhinasto vlerësoi tregun e gazit në Shqipëri si një mundësi të jashtëzakonshme për t’u shfrytëzuar në funksion të zhvillimit të vendit.
“Gazifikimi i vendit dhe për rrjedhojë zhvillimi i një tregu gazi është një nga prioritetet kryesore në axhendën energjetike të qeverisë, pasi gazifikimi do të forcojë sigurinë e furnizimit me energji në Shqipëri, si dhe do të kontribuojë në integrimin rajonal të vendit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë”- u shpreh ministri.
Z. Haxhinasto theksoi se zhvillimi i sektorit energjetik përbën një bazë të rëndësishme dhe shtytje të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe rritje të ekonomisë, pasi gazifikimi do të nxisë në mënyrë të drejtpërdrejtë prosperitetin ekonomik për qytetarët dhe për vendin.
Zv. Kryeministri z. Haxhinasto, duke përmendur projektet e mëdha si Trans Adriatik Pipeline (TAP), Ionian Adriatik Pipeline (IAP), si dhe Unaza e Gazit e Komunitetit të Energjisë, tha se këto projekte përbëjnë mundësi shumë të mëdha që ndikojnë drejtpërsëdrejt në gazifikimin e vendit.
“Këto gazsjellësa dhe kjo infrastrukturë do të kenë një impakt të jashtëzakonshëm për zhvillimin e infrastrukturave të mëtejshme të furnizimit dhe shpërndarjes së gazit natyror në Shqipëri”, tha z. Haxhinasto. Duke shprehur mbështetjen e plotë për TAP, ministri vlerësoi se furnizimi i tregut të gazit është objektivi më madhor për Shqipërinë në kuadër të këtij projekti. Z. Haxhinasto theksoi se konkludimi i Master Planit të gazit është një hap i domosdoshëm për tregun e gazit në Shqipëri.

KOMENTE