English

Stadiumi Qemal Stafa, edhe pak kohë jetë

Kishte kohë që diskutimet e Federatës Shqiptare të Futbollit po vijonin për të gjetur një kompani serioze me një projetkt modern por sigurisht dhe me një kosto të arsyeshme për ndërtimin e një stadiumi të ri dhe prishjen e të vjetrit.

Diskutimet e Federatës kishin marrë OK edhe nga Ministria e Mbrojtjes, por duket se kur gjërat pothuajse ishin vënë në vijë, Ministria e Mbrojtjes i mbyll derën FSHF-së duke u tërhequr nga prishja e stadiumit duke lënë që gjithçka të bëhet privatisht e cila tashmë do të kushtojë më shumë.

Burime shumë të sigurta në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe në FSHF kanë bërë të ditur se plani për të prishur stadiumin me anë të forcave të xhenios ka dështuar. Edhe pse, si ushtria, por edhe FSHF kanë punuar gjatë për një marrëveshje, madje duke ndërtuar një plan për prishje dhe kostot e punës, në fund ajo është tërhequr. Mësohet se në ditët e fundit të “erës” Prodani në FSHF ka pasur një komunikim të gjatë mes tij dhe një prej këshilltarëve të Ministrisë në fjalë. Edhe pse pikërisht ishte Ministria që kishte pranuar ta prishte stadiumin, duke i bërë një “nder” futbollit dhe ulur disi kostot, në fund, ajo duket se është tërhequr.

Në fillim ka qenë një komunikim verbal nga ana e Ministrisë që i ka mbyllur dyert federatës për prishjen e stadiumit të vjetër. Më pas zyrtarisht Ministria ka komunikuar me FSHF-në dhe ka zyrtarizuar vendimin e saj. Kjo do të thotë se tani duhet të jetë vetë federata që do të prishë stadiumin dhe në këto kushte kostot do të rriten disi pas këtij vendimi. Në fakt Ministria e Mbrojtjes dhe brigada e xhenios kishin vendosur që ta prishin “Qemal Stafën”, kur t’i vinte koha me anë të shpërthimeve të telekomanduara.

Një veprim që shihej si një ndihmesë që bënte shteti ndaj botës së futbollit gjithsesi, kjo gjë duket se ka marrë fund dhe tani stadiumi do të prishet privatisht.

KOMENTE