English

Aksi rrugor Tiranë-Peshkopi. Nis rikonstruksioni

Ka nisur edhe rikonstruksioni i një prej akseve kombëtare më problematike, ai që lidh Tiranën me Peshkopinë, i cili do të bëjë të mundur përmirësimin tërësor të tij përpara sezonit të pritshëm dimëror.

Lajmin e konfirmoi Ministri i Transporteve z. Sokol Olldashi gjatë një inspektimi që zhvilloi në punimet që sapo kanë filluar në qytetin e Burrelit.

z. Olldashi saktësoi se segmenti që do të rikonstruktohet i pari është ai që lidh Bazin me Klosin, në rrethin e Matit, segment ky që është edhe më i dëmtuari, kryesisht për shkak të makinave të tonazhit të rëndë që transportojnë kromin në drejtim të portit të Durrësit.

Projekti parashikon nivelimin e trupit të rrugës aty ku ky ka ceduar dhe riveshjen e segmenteve të vecanta, si dhe ndërhyrje në të gjithë paketën e zhavorreve dhe të asfaltit, aty ku dëmtimet e trupit të rrugës janë më serioze.

Sistemimet po bëhen me një financim të buxhetit të shtetit prej 82 milionë lekësh dhe po realizohen nga kompania Bami.

z. Olldashi tha se kjo ndërhyrje është pjesë e projektit për të mbajtur në një gjendje sa më optimale aksin e vjetër Milot-Burrel-Peshkopi, përsa kohë vazhdon ndërtimi i rrugës së Arbrit, e cila përshkon një trajektore tjetër, shumë më të shkurtër sesa rruga ekzistuese.

KOMENTE