English

Nxirret në dritë e vërteta mbi numërtimin e legjislaturave, që fillon që prej Konrgresit të Lushnjës

Nën drejtimin e Kryetares Jozefina Çoba Topalli, Kuvendi i cili u mblodh në seancë plenare ditën e djeshme, miratoi disa projektligje të rëndësishme.

Fillimisht, Kuvendi diskutoi mbi projektligjin “Për ratifikimin e konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar”. Kjo konventë është e një rëndësie të veçantë në jetën e personave me aftësi të kufizuara për faktin se përfaqëson dokumentin e parë në të cilin aftësia e kufizuar njihet si çështje e të drejtave të njeriut.
Projektligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ishte një tjetër pikë e rendit të ditës në të cilin u fokusua debati parlamentar. Nëpërmjet këtij projektligji u jepet përgjigje problemeve themelore ndaj kësaj pasurie të madhe kombëtare, shfrytëzimit të saj racional në të gjithë aspektet dhe drejtimet, mirëmenaxhimit dhe përgjegjësive konkrete përkatëse për menaxhimin e tyre.

Projektligje të tjera të diskutuara gjatë seancës së sotme plenare ishin edhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për njohjen e divorceve dhe ndarjeve ligjore”; projektligji “Për bashkimin ndërkufitar të shoqërive tregëtare”; si dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9157, datë 4.12.2003, “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të ndryshuar.

Kuvendi miratoi me shumicë votash të gjitha projektligjet e sipërpërmendura.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duke përgëzuar deputetët e opozitës për votimin e projektligjit “Për ratifikimin e konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar”, i ftoi ata që të bashkojnë votat me mazhorancën dhe të votojnë edhe projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, të cilat janë të nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Po sot, Kuvendi miratoi edhe projektvendimin “Për numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”. Projektvendimi, nismë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli, parashikon numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë duke filluar nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920. Nëpërmjet këtij vendimi përshihen në numërtim edhe legjislaturat para vitit 1946, të cilat regjimi komunist i kishte fshirë nga memoria historike. Sipas këtij numërtimi legjislatura aktuale është e shtata.
Përpara votimit, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se nëpërmjet këtij vendimi historik synohet të korrigjohet të nxirret nga errësira një pjesë të rëndësishme të historisë së legjislacioneve shqiptare dhe të shkohet tek e vërteta e historisë tonë.

“Siç jeni në dijeni, deri më sot legjislatura aktuale është njohur si legjislatura e XVIII. Ky është një numërim i rremë, është një numërim i pavërtetë. Ndaj dhe kemi rastin sot që si deputetë të bëjmë korrigjimet e duhura, sepse nuk mund të lejojmë kurrë që numërimi i fillimit të legjislaturave, ndryshe nga çdo vend tjetër i botës, në kundërshtim me të gjitha kriteret ligjore, shkencore apo zakonet parlamentare të fillojë nga ’46-ta. Në përgjithësi në vendet e botës numërimi i legjislaturave bazohet në kritere solide, të cilave u qëndrojnë të gjithë parlamentet: ose mbi bazën e zhvillimeve historike ose mbi bazën e kushtetutave. Kështu e bën Franca, kështu e bën Italia, kështu e bën Polonia, kështu e bëjnë të gjitha vendet e tjera.

Sot është gjithashtu një rast për të nxjerrë nga errësira një pjesë të rëndësishme të historisë së legjislacioneve shqiptare që sistemi komunist nuk i njihte dhe që i keni të vendosura në aneksin II,” tha zonja Jozefina Çoba Topalli, nismëtare e këtij projektvendimi të rëndësishëm.

KOMENTE