"Në axhendën e kësaj memorjeje e festimi kombëtar sigurisht që një moment shumë i rëndësishëm është edhe kjo ceremoni ku kam nderin të jem e pranishme, dedikuar figurës së Mbretit Zog, të organizuar në këtë vend mik, si Franca, që i ka qëndruar pranë Shqipërisë, në kohët e saj më të vështira. Sot është dita kur këtij burri të madh po i jepet e drejta më njerëzore: të prehet më në fund i qetë në vendin e tij, atje ku ka të parët dhe trashëgimtarët", kështu është shprehur ministria e integrimit Majlinda Bregu në ceremoninë e zhvarrosjes së eshtrave të Mbretit Ahmet Zogu në Paris.
Gjithashtu Bregu theksoi rëndësinë e punës që Zogu bëri për krijmin e një shteti.
"Në gjithe vitet e drejtimit të vendit nga Ahmet Zogut u ngrit shteti dhe sistemi i rendit publik, në të gjithë territorin e vendit. U ndërtuar infrastruktura rrugore dhe portuale. Nisi puna, me arkitektë të njohur italianë, për ndërtimin e një kryeqyteti modern. Në fushën financiare ai ngriti Bankën e Shqipërisë, si autoriteti më i lartë financiar në vend.
Në fushën legjislative hartoi një kod penal që përmendet ende si ndër më të mirët që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, dhe ngriti një sistem gjykatash që funksiononin në të gjithë vendin.
Në rrafshin arsimor, ai ndërtoi institucione me një filozofi përparimtare të ndryshimit të zakoneve mesjetare e përshtatjes me kohërat moderne, duke i hapur rrugë krijimit të klasës intelektuale në vend.
Ahmet Zogu ishte vetëm 17 vjeç kur do të lidhte historinë e tij me atë të popullit të tij, me një takim shumë të rëndësishëm me Ismail Qemalin, në një moment kyç për Shqipërinë, si i dërguari i matit në Vlore, për shpalljen e Pavarsisë."
Në ceremoni merrnin pjesë edhe disa përfaqësues të familjeve kryesore mbretërore europiane. Ndërsa pritet që eshtrat e Mbretit Zog të vijnë në Shqipëri ditën e premte rreth orës 8:00 të mëngjesit.
Ceremonia e homazheve do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave ditën e shtunë nga ora 10-12,ndërsa priten të varroset në Mauzoleumin e familjes mbretërore po ditën e shtunë.