English

CEZ: Energjia ndërpritet individuale dhe jo kolektive. Që sot dhe ujësjellsat debitorë pa energji

Lidhur me pretendimet e ngritura kohët e fundit, nga palë zyrtare ose jo, për ndërprerje kolektive të energjisë nga CEZ Shpërndarje, kompania sqaron se ndërprerjet e furnizimit me energji kryhen vetëm per klientët debitorë dhe kabinat 100% debitore. Në asnjë rast, kompania nuk ka kryer të ashtuquajtura “dënime kolektive.”

CEZ Shpërndarje ka njoftuar vazhdimisht se në zonat e ndërprerjeve, persona të papërgjegjshëm, të cilëve iu është ndërprerë furnizimi me energji për shkak të mospagesave, janë rilidhur vetë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes. Këto veprime kanë shkaktuar difekte në rrjet dhe kanë lënë pa energji edhe zonat përreth. Megjithë vullnetin tonë të mirë për t'i riparuar sa më shpejt këto difekte dhe rikthyer energjinë për klientët e rregullt, ekipet e CEZ Shperndarje shpesh nuk janë lejuar të hyjnë në zonat e difekteve. Kjo ka sjellë mungesën e energjisë per klientët e rregullt. Siç kemi bërë të ditur tashmë, që këto lidhje të paligjshme të mos dëmtojnë rrjetin e shpërndarjes, CEZ Shperndarje është e detyruar të stakojë linjat deri në shkëputjen e lidhjeve të paligjshme, të cilat vënë në rrezik edhe jetën e banorëve të zonës.

Gjithashtu CEZ njofton se duke nisur që nga dita e sotme kompania CEZ Shpërndarje paralajmëron që në ditët në vijim qytetarët mund të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, pasi shumë ndërmarrje të ujësjellësve nuk kan kryer detyrimet ndaj CEZ.

Janë mbi 40 ndërmarrje që edhe pas lehtësirave që ka afruar CEZ për të kryer shpërblimin, duke i dhënë mundësi që të paguajnë detyrimet për shlyerjen e debisë, me anë të kësteve, sipas CEZ situata nuk ka ndryshuar.

Kjo masë do të hyj në fuqi më 16 nëntor, dhe pritet që kjo të sjelli edhe çrregullime në shërbimet e tjera publike përveç banesave, çka sjell edhe kufizim në furnizimin me ujë të pijshëm.

Për këtë situatë, ka reaguar edhe Konfederata e Industrisë, e cila kërkon ndërhyrjen e qeverisë shqiptare për të ndaluar ndërprerjen e paralajmëruar të energjisë elektrike, që mund të krijojë vështirësi edhe në furnizimin me ujë.

KOMENTE