English

Pritje koktej me rastin e përfundimit me sukses të Kryesisë së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Me rastin e përfundimit me sukses të Kryesisë së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, si dhe të zgjedhjes së Shqipërisë anëtare e Këshillit Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC), për periudhën 2013-2015, Ministria e Punëve të Jashtme, nën kujdesin e Ministrit, z. Edmond Panariti organizoi një pritje koktej më datë 16 nentor 2012, në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe personalitete nga fusha e politikës, diplomacisë e kulturës. Në takim ishte gjithashtu i pranishëm dhe e përshëndeti edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Z. Edmond Haxhinasto.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Punëve të Jashtme, Z. Edmond Panariti.

Gjatë këtij viti të shënuar, që përkon me 100 vjetorin e shpalljes Pavarësisë së shtetit shqiptar, politika jonë e jashtme, përmes një agjende ambicioze, ka pasur arritje të spikatura në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit, si në planin dypalësh ashtu dhe atë shumëpalësh.

Diplomacia shqiptare ka maksimalizuar përpjekjet për t’iu vënë sa më mirë në shërbim interesave kombëtare, duke nxitur forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, vendet e rajonit, organizmat shumëpalësh rajonalë dhe globale. Falë këtyre përpjekjeve vendi ynë ka vijuar të mbetet një faktor i rëndësishëm në rajon duke kontribuar në stabilitetin dhe perspektivën e tij europiane dhe euroatlantike. E veçanta e këtij viti është se Shqipëria ka ravijëzuar një dimension të ri, profilizimin jo vetëm si aktor i rëndësishëm rajonal, por dhe europian e global.

Gati gjashtë muaj më parë, më 24 maj 2012, u mblodhëm këtu menjëherë pas marrjes së çelësit të kryesisë së parë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për të rikonfirmuar angazhimin tonë në pëmbushjen e një agjende të ngjeshur prioritetesh dhe aktivitetesh. Sot, pak ditë pas përfundimit me sukses të kryesisë shqiptare më lejoni që bilancin e këtij kryesimi ta përmbledh me disa nga vlerësimet e titullarëve më të lartë të Këshillit të Evropës. Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së, z. Jagland e cilësoi presidencën shqiptare si mjaft aktive dhe ambicioze, Presidenti i Asamblesë Parlamentare, z. Mignon u shpreh se “presidenca shqiptare është gjigante”, ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të Andorrës, z. Sunye, përpara ceremonisë së marrjes së kryesisë theksoi se do të ishte shumë e vështirë për Andorrën që të mbante ritmin e presidencës sonë.

Gjithashtu, vlerësime maksimale kemi patur për organizimin e Konferencës përmbyllëse të datës 9 nëntor mbi tematikën “Diversiteti në Evropë: një forcë për të ardhmen”, si dhe të aktiviteteve të tjera gjatë këtij 6-mujori.

Në veçanti do të më lejoni të ndalem në një element shumë të rëndësishëm të këtij suksesi. Kyesimin e Komitetit të Ministrave e perceptuam jo thjesht si kryesi e diplomacisë shqiptare, por si kryesia shqiptare e të gjithëve bashkarisht. Si e tillë, bashkëpunimi me institucionet shtetërore për zbatimin e priroriteteve tona ka qenë shumë efikas, ndaj dua të shpreh vlerësimet dhe falenderimet tona për kontributin dhe profesionalizmin e tyre. Përfitoj nga rasti të falenderoj Presidentin e Republikës, Sh.T. z. Bujar Nishani, i cili pranoi të ishte i ftuar i posaçëm në Sesionin e Vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Një mirënjohje e veçantë shkon për Kryeministrin, SH.T. z. Sali Berisha, i cili në mënyrë aktive u përfshi jo vetëm me pjesëmarrjen e tij në Sesionin e Asamblesë Parlamentare, por edhe në Forumin Botëror për Demokraci, si dhe përshëndeti mjaft aktivitete gjatë këtij gjashtëmujori.

Një falenderim të dëshiroj t’i transmetoj Kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, e cila personalisht, por dhe institucionalisht, ishte pjesë aktive e aktiviteteve të organizuara nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë kësaj presidence, siç ishte Konferenca e Kryetarëve të parlamenteve të shteteve anëtare të KiE-së, organizuar në Tiranë.

Përgëzoj gjithashtu, Ministrinë e Brendshme, e cila prioritetin tonë të trojkës mbi demokracinë lokale e implementoi në mënyrën më efikase dhe aktive, me organizimin e mjaft aktiviteteve, si në Tiranë ashtu dhe në Strasburg.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka qenë një tjetër instuticion, puna e përgjegjshme e të cilit i ka dhënë një tjetër dimesion pozitiv imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Organizimi i Kampit të Paqes për të rinjtë nga rajoni dhe i Takimit vjetor për tolerancën fetare, nxorrën dhe një herë në pah vlerat e shkëlqyera të kombit shqiptar.

Po kështu, falenderoj Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, si dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe në veçanti Avokaturën e Shtetit. Shpreh mirënjohjen dhe për Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Përtej këtyre arritjeve, bashkarisht arritëm të sensibilizojmë nivelet më të larta politike të organizatës, për sa i takon çështjes së Kosovës dhe vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta mes autoriteteve kosovare dhe atyre të KiE-së. Gjithashtu, punuam për një sinergji dhe një përqasje më të mirë në fushat me interes të përbashkët të organizatave ndërkombëtare, si OSBE-ja, BE-ja, OKB-ja, etj. I ofruam një dimension të ri dialogut mes Këshillit të Evropës dhe Vendeve Fqinje, etj. Dhe për këtë më lejoni t’ju shpreh dhe një herë falënderim dhe mirënjohje.

Përtej faktit të mbylljes së sukseshme të një presidence të një organizate ndërkombëtare jemi sot këtu së bashku për të hapur dhe një faqe të re suksesi me një tjetër organizatë, sikundër është ajo e Kombeve të Bashkuara. Pas një lobingu dhe përkushtimi të plotë tre vjeçar, Shqipëria arriti të zgjidhet, me 184 vota nga 190 vende që morën pjesë në votim, anëtare e Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2013-15. Padyshim kjo përbën një arritje të drejtpërdrejtë të njohjes dhe vlerësimit të rolit të vendit tone në organizatat ndërkombëtare, bazuar në arritjet brenda vendit si dhe një sukses të diplomacisë sonë aktive në Kombet e Bashkuara. Unë gjej, rastin, zonja e zotërinj Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik t’ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë kandidaturës sonë.

Shqipëria, anëtare e ECOSOC-ut do të punojë në tre vitet e ardhshme për të zbatuar përgjegjësitë e saj që rrjedhin nga Karta e OKB, në veçanti për promovimin e progresit ekonomik dhe social, të standardeve më të larta të jetesës, punësimit, identifikimit te zgjidhjeve më të mira për të përmirësuar shëndetin, lehtësimin e bashkëpunimit në fushat ekonomike, sociale, të arsimit dhe të kulturës si dhe respektimin dhe mbrojtjen e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Gjithashtu, Shqipëria do të punojë për të nxitur realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit që është një ndër prioritetet madhore të ECOSOC-ut.

Jam krenar të nënvizoj se vitet e fundit diplomacia shqiptare ka shfaqur tiparet e saj me të mira profesionale, të cilat kanë si themel një politikë të qartë të jashtme në përputhje me interesat kombëtare dhe një sistem karriere që po konsolidohet nga dita në ditë. Ajo po përvijohet gjithnjë e më tepër si një shtyllë e fuqishme mbi të cilën mbështetet e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë moderne, europiane.

Në përfundim, më lejoni që të shpreh gjithashtu vlerësimet dhe mirënjohjen maksimale për të gjithë stafin e MPJ të përfshirë në këto arritje, si dhe në veçanti për Drejtorinë e Përgjithshme të Organizatave Ndërkombëtare dhe Çështjeve Globale, stafin e Misionit të Republikës së Shqipërisë në Strasburg dhe Nju Jork për angazhimin e përkushtuar dhe profesional, me qëllim rritjen e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

KOMENTE