English

120 vjet shkolla shqipe e vashave. Ceremoni madhështore

Është zhvilluar dje ceremonia e 120 vjetorit të Shkollës Shqipe të Vashave në Katedralen e Zonjës Ndihmëtare të Prizrenit. Në të kanë marë pjesë krerë të qeverisë dhe institucioneve të larta arsimore si Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, zëvendëskryemintrja, Edita Tahiri, kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, të cilët mbajtën fjalë rasti kushtuar kësaj ngjarje, ndërsa ishin të pranishëm edhe përfaqësues të konfesioneve fetare.

Hapja e Shkollës shqipe të Vashave në katedralen "Zonja Ndihmëtare" në Prizren, këtu e 120 vjet më parë , u cilësua si dëshmi e fuqishme për qytetarinë , kulturën dhe atdhedashurinë e kombit tonë ndër shekuj , etjen për dije dhe jetë më të mirë .

Ministri Buja me këtë rast tha se kremtimi i 120 vjetorit të shkollës së vashave është ditë e veçantë e arsimit shqip në Kosovë e gjetiu . "Sot jemi me më shumë shkolla në gjithë hartën gjeografike shqiptare. Sot jemi me më shumë se 1200 shkolla në Kosovë, 484 260 nxënës , 24 mijë arsimtarë , 1400 doktorantë dhe me më shumë se 10 mijë njerëz me master apo mgjistraturë. E tërë kjo është mrekullia vet, pasuria e vërtetë kombëtare", tha ministri Buja duke uruar kremtimin e kësaj date të shënuar historike për arsimin .

Në vazhdim, ministri Buja tha se vizioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit është që Kosovën ta bëjmë vend të dijes dhe ky vizion është në rrugë të mbarë për t'u realizuar dhe se vetëm të ditur mund të ecim të sigurt drejt aspiratave tona shekullore.

Ndërsa, Imzot Don Gjergji foli për historikun e fillimit të shkollës së vashave e organizuar nga patriotë të klerit katolik të kohës dhe të qytetarëve të ditur Prizrenas, e cila rrodhi si pasojë e ngulfatjes së kombit tonë nga regjimet e huaja dhe rrezikut nga asimilimi i përditshëm, humbja e identitetit nacional.

Ndërkaq, për historikun e 100 vjetorit të kësaj shkolle të mbajtur në kohë të okupimit serb foli Bedri Çeku, i cili tha se ky përvjetor, 20 vjet më parë u shënua në rrethana okupimi si reagim ndaj trumbetimeve të regjimit serb që trumbetonte se ne ua kemi dhënë shkollën shqiptarëve ndërsa vazhdonin torturat ndaj popullatës që donte lirinë .

KOMENTE