Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha dhe fëmijët, zhvilloi sot, homazhe në nderim të kujtimit të Mbretit Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit u kthyen një ditë më parë në Shqipëri. Pas vdekjes në vitin 1961, trupi i ish Mbretit Ahmet Zogu prehej në një varrezë të Parisit, Francë. Me iniciativë e vendim të qeverisë shqiptare, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, eshtrat e Mbretit, i cili qëndroi në krye të Monarkisë Shqiptare nga viti 1928 deri në vitin 1939, u kthyen pas 51 vitesh në atdhe.
Kryeministri, pas homazheve, shprehu vlerësimet për rolin dhe kontributin e madh të Ahmet Zogut në historinë e vendit.
“Sot, shqiptarët në të gjithë trojet etnike, shqiptarët në diaspore e kudo që ndodhen nderojnë e përulen para veprës e kontributit të një prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zogu I, që rikthehet në dheun e tij pas dekadash ekzil në mërgim, prej së gjalli dhe prej së vdekuri, në dhena të tjera. Shqiptarët kudo që janë përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë.
Flamuri kombëtar, flamuri i Skënderbeut u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe atdhetarë të tjerë të kombit, por ndërhyrja antishqiptare të fqinjëve, në bashkëpunim me aventurierë shqiptarë, penguan për vite të tëra vendosjen dhe ndërtimin e një shteti shqiptar. Do të ishte qeveria e Sulejman Delvinës, në të cilën figurë qendrore ishte dhe mbeti djaloshi, që në moshën 17 vjeçare kishte rendur drejt Vlorës për të qenë pranë Ismail Qemalit në ngjarjen më të madhe të historisë së kombit. Në vitin 1920, ai do të emërohej ministër i Brendshëm. Në një moshë të re, ai sëbashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë, manu militari, do të vendoste integritetin territorial të Shqipërisë. Është koincidencë e mrekullueshme që ai kthehet sot, në dheun e tij, në ditën e çlirimit të kreqytetit. Tirana kryeqytet është vepër e këtij burri, i cili e çau me grykë të pushkës nga Lushnja deri në Tiranë dhe bëri që qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës të përzgjedhë si kryeqytet të kombit Tiranën.
Ahmet Zogu nderohet sot nga të gjithë shqiptarët, për ndërtimin e shtetit shqiptar, për kontributin e tij historik për ndërtimin e këtij shteti që nga koha e Skënderbeut deri në vitet 1920. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm historik në zhvillimin e konsolidimin e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, të shoqërisë shqiptare. Në periudhën e mbretërisë së tij, ai bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi që dukej se vinte nga gjysma e errët e hënës. Ai bëri përpjekje të jashtëzakonshme për zhvillimin e arsimit, të kulturës, të bujqësisë, të biznesit dhe konturoi diplomacinë shqiptare, si një diplomaci aktive.
Shqiptarët, brez pas brezi, do të ndjehen krenarë me Mbretin e parë Zog, me qëndrimin që monarku i shqiptarëve mbajti ndaj Holokaustit. Ndonëse një prej vendeve më të varfra, ekonomikisht e në tërësi më të dobët, ai nuk u rreshtua me koalicionin e heshtur në Holokaust. Përkundrazi, hapi dyert e vendit të tij, për ata që ndiqeshin në një gjah barbar, të pashembullt në historinë e njerëzimit.
Mbreti Zog, sikundër shumica e monarkëve të Europës pas pushtimit, u largua nga Shqipëria, por u largua për të vazhduar betejën në të gjitha frontet, në krahun e koalicionit antifashist botëror. Natyrisht, në historinë tonë kombëtare, ne shqiptarët nuk kemi figura eterike, nuk kemi pasur, nuk kemi e nuk do të kemi të pagabueshëm, por kjo nuk është specifikë vetëm e jona. Ata që studiojnë historinë e kombeve më të zhvilluara gjejnë aty të njëjtën gjë, njerëz që kanë bërë gabime, njerëz me kontribute të mëdha. Në këtë kontekst, nëse do të bënim një vlerësim në raport me rrethanat, në të cilat mbretëroi, përpjekjet e tij nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse mbinjerëzore, për liri, dinjitet dhe zhvillimin e shqiptarëve.
Unë gjej një rast për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Francës, vendit më të madh të lirisë, e cila e pranoi atë në gjirin e saj, në kohën kur ajo qeverisej nga gjenerali De Gol, i cili organizoi rezistencën më të shkëlqyer të kombit francez kundër pushtimit të vendit të vet. Natyrisht, gjenerali nuk refuzoi kërkesën e një njeriu, i cili gjatë viteve të luftës bëri çdo gjë, për organizimin e një rezistence të armatosur kundër pushtuesve të vendit të tij.
Unë besoj se kontributi, vepra madhore në historinë tonë kombëtare e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, sepse, pavarësisht nga indoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë t’i mësosh edhe vonë, sesa kurrë. Ndonjërit që ka frikë nga eshtrat e monarkut i them se ke mbetur në lëkurën e Enverit. Ndaj t’ia lëmë diskutimet historianëve e të bëjnë ata vlerësimet më të mira, pasi atyre u takon e drejta për të vlerësuar gjithçka, ne të vlerësojmë kontributin e vlerat e jashtëzakonshme që ky shtetar dha për këtë vend e këtë komb”, - u shpreh Kryeministri në një prononcim publik pas homazheve.
Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë shtetërore të përcjelljes dhe vendosjes së eshtrave të ish Mbretit Zog në mauzoleumin e familjes mbretërore. Në këtë ceremoni, krahas autoriteteve më të larta të vendit, ishte e pranishme edhe Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Zëvendëskryeministri i Hungarisë Zsolt Semjen.