Në vijimësi të veprimeve të ndërrmara nga CEZ Shpërndarje dje në datë 16 nëntor 2012, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator, CEZ Shpërndarje, në cilësinë e furnizuesit publik me pakicë është e legjitimuar të realizojë ndërprerjen e energjisë elektrike për të gjithë ata klientë të cilët nuk paguajnë për konsumin e energjisë elektrike.
Në bazë të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike", Kodit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Kodit të Matjes, përcaktohet se CEZ Shpërndarje, si operatori i vetëm i licensuar në aktivitetin e shpërndarjes dhe të furnizimit me pakice me energji elektrike, ka të drejtën ekskluzive të verifikimit të administrimit të rrjetit të shpërndarjes si dhe të realizimit të ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të mospagesës së detyrimeve. Referuar këtij ligji si dhe Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike, konkretisht Nenit 11, parashikohet se detyrimet e energjisë elektrike, duhet të paguhen brenda ditës së fundit të muajit pasardhës të faturimit. Nëse detyrimi nuk paguhet brenda afatit te percaktuar Furnizuesi është i legjitimuar të realizojë ndërprerjen e energjisë elektrike.
Sikurse kemi bërë me dije, ritheksojmë se shumica e shoqërive te ujësjellësave e kanalizimeve janë debitore ndaj CEZ Shpërndarje për detyrimet e energjisë elektrike, detyrime të cilat tejkalojnë vlerën 38 milionë Euro. Si rrjedhojë, CEZ Shpërndarje ka ndjekur procedurat e parashikuara në ligj dhe në kontrate si më poshtë vijojnë:
1. Më datë 13.11.2012, nëpërmjet shkresës ''Njoftim përfundimtar për shlyerje detyrimesh", bashkëlidhur, janë njoftuar ujësjellësat debitorë për vlerën e detyrimeve të energjisë elektrike, mundësinë që u ofrohet për shlyerjen me këste të detyrimit nëpërmjet marrëveshjeve si dhe për masat e ndërprerjes së energjisë elektrike, të cilat do të ndërmerreshin pas datës 15.11.2012. Njoftimet janë dorëzuar pranë Ujësjellësave përkatës, sipas konfirmimeve të dhëna nga shoqëria postare.
2. Paralelisht, lidhur me këtë situatë të krijuar, me shkresën nr. 7143, datë 13.11.2012, me lëndë ''Njoftim përfundimtar për shlyerjen e detyrimeve të konsumit të energjisë elektrike për periudhën janar 2012 - shtator 2012'' është njoftuar Kryeministri, Ministri i Financave, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Kryetari i Entit Rregullator, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit dhe Zëvendësministri i Financave. Nëpërmjet kësaj shkresë, bashkëlidhur, kemi informuar strukturat më të larta të qeverisë dhe institucionet e pavarura (ERE) lidhur me detyrimet e ujësjellësave dhe me situatën e vështirë financiare që po kalon CEZ Shpërndarje si rezultat i mospagesave të detyrimeve të konsumatorëve të energjisë elektrike. Mospagesa e detyrimeve nga konsumatorët, veçanërisht nga institucionet shtetërore, ka vënë shoqërinë në një pozitë të vështirë financiare.
3. Më date 16.11.2012, sikurse kishim lajmëruar, u procedua me ndërprerjen e energjisë eletrike, pasi deri në këtë datë nuk rezulton të jetë shlyer asnjë detyrim nga ujësjellësat debitorë.
Kërkojmë të vëmë në dijeni të gjithë publikun shqiptar se, punonjësit tanë janë penguar në mënyrë arbitrare nga ana e strukturave të policisë së komisariateve në disa qytete, për të kryer detyrën e tyre funksionale dhe ligjore. Ata janë kërcënuar se duhet detyrimisht të lidhin energjinë elektrike për ujësjellësat e në disa raste janë shoqëruar në komisariat me arsyetimin se, sipas tyre, nga ana e shoqërive të ujësjellësave janë depozituar kallëzime penale ndaj CEZ Shpërndarje. Në vijim të këtyre veprimeve të paligjshme të punonjësve të Policisë së Shtetit, punonjësit e CEZ Shpërndarje po ndalohen për të kryer detyrën e tyre duke u shoqëruar e mbajtur në komisariate apo ambiente të tjera në kundërshtim të plotë me parashikimet e ligjit 9749, datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit". Për më tepër, në disa raste, sikurse ka ndodhur me Komisariatin e Durrësit, Krujës dhe Lezhës, disa nga punonjësit tanë, jo vetëm që janë ndaluar, por në mënyrë arbitrare janë arrestuar në kundershtim të plotë me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjin "Për Policinë e Shtetit".
CEZ Shpërndarje konfirmon edhe një herë se punonjësit tanë kanë vepruar në përputhje me detyrën e tyre funksionale, duke respektuar të gjitha detyrimet ligjore për ndërprerjen e institucioneve debitore. Çdo përpjekje e strukturave të policisë së shtetit, për të justifikuar veprimet e tyre të paligjshme me kryerjen e veprave penale nga ana e punonjësve tanë është në kundërshtim të plotë me ligjin. Duam të theksojmë se kompania mbështet plotësisht punonjësit e ndaluar arbitrarisht si dhe familjarët e tyre në të gjitha aspektet, ligjore dhe morale.
Ju bëjme thirrje punonjësve të policisë së shtetit të ndalojnë si dhe të pushojnë çdo lloj veprimi apo procedure të filluar ndaj punonjësve të CEZ Shpërndarje, të cilat janë ndërmarrë në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim të hapur me ligjin. Ndaj punonjësve të policisë së shtetit, të cilët kanë kryer veprime në kundërshtim me misionin e tyre, CEZ Shpërndarje sh.a do të ndërmarrë procedurat ligjore me kallëzim penal ndaj tyre për shpërdorim detyre dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes.