English

Përurohet pllaka e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, në Greshnicë

Me një ceremoni solemne të organizuar nga Bashkësia Lokale e fshatit Greshnicë, të Komunës së Zajazit, të shtunën u përurua pllaka e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar dhe shtylla e lartë 35-metra, ku është vendosur flamuri kombëtar në një madhësi prej 6 metrash.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku dhe lideri I BDI-së Ali Ahmeti, zbuluan pllakën e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe kanë përuruar shtyllën më të lartë në mbarë hapësirat shqiptare, ku valëvitet flamuri ynë kombëtar.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, duke i përgëzuar organizatorët për këtë vepër madhore që vjen në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar theksoi:

“Sot e 100 vite më parë këtu ka pasur një lëvizje tepër të organizuar kombëtare, një lëvizje shumë të fuqishme që shënoi sakrificën e brezave të tërë për ngritjen e flamurit në vitin 1912”.
Në këto hapësira, nënvizoi ai, janë vrarë mbi 100 burra e gra të cilët sot i kujtojmë me dhimbje dhe krenari sepse tanimë shpirtrat e tyre do të fillojnë të qetësohen duke parë në këto hapësira shtizat e larta mbi 35 metra me flamurin shqiptarë për të cilin bijtë dhe bijat tona dhanë gjënë më të shtrenjtë- jetën.

“Ky flamur që ngrihet sot krenar, do të valëvitet ndër shekuj. Atë nuk mund ta ulë asnjë dorë e zezë sepse ai është simboli që na identifikon dhe na ka mbajtur gjallë ndër shekuj. Ky flamur nuk mund të mposhtet, sepse rojë e mburojë janë shqiptarët që jetojnë në hapësirat e veta iliro-dardane”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndërkaq, ambasadori Çejku, duke përshëndetur të pranishmit në emër të shtetit shqiptar dhe Kryeministrit Sali Berisha, theksoi se ky i fundit do të vijë më 25 nëntor në Shkup për të falënderuar dhe uruar të gjithë shqiptarët këtu dhe në diasporë për festimet dhe nderimet që i janë bërë 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Sot ne nderojmë rezistencën ndaj padrejtësive historike dhe përpjekjet e të gjithë atyre që sollën pavarësinë e shtetit shqiptarë, ne sot bashkohemi rreth flamurit tonë kombëtar në nderim të sakrificës së tyre duke dëshmuar vizionin tonë integrues dhe përbashkues”, ka theksuar Çejku duke shtuar më pas se “ky flamur i Skënderbeut që valëvitet sot këtu në Greshnicë, valëvitet krenar edhe në selinë e NATO-së në Bruksel”

KOMENTE