English

PS: Misioni ynë pavarësimi i Shqipërisë nga varfëria

Manifesti “Unë jam FRESSH” ndali në qytetin e Korçës. Mijëra të rinj të mbledhur në sheshin e sapo rikonstruktuar përpara Katedrales ishin protagonistët e vërtetë në këtë eveniment, ku arti dhe politika flet me gjuhën e tyre. Në këtë prag të 100 vjetorit të Pavarësisë Edi Rama bashkë me Pandeli Majkon e Niko Peleshin, m’u fare pranë Muzeut të Abetares përsëritën se është detyrë e gjeneratës së re të marrë në dorë fatet e këtij vendi. Sepse ky është Manifesti i erës post berishiane, manifesti i ndërrimit të klasës politike, i domosdoshmërisë për të çuar përpara orën e mbetur nga qeveria e sotme, është manifesti i shqiptarëve që duan të bëhen pjesë e ëndrrës për një Rilindje Kombëtare.

Por të rinjtë sot janë papunë, ata janë të varfër, pa shpresë. Të rinjtë sot janë të paarsimuar. Ja pse për Edi Ramën është misioni i socialistëve dhe progresistëve të pavarësojnë vendin nga injoranca: “Ta pavarësojmë vendin tonë nga injoranca duke filluar një luftë të paepur me analfabetizmin, që sot ka shkuar 15 përqind. Me 15 përqind të fëmijëve shqiptarë analfabetë ,Shqipëria nuk është e pavarur nga injoranca. Ne kemi misionin që të rejave dhe të rinjve që shkojnë në shkollë, t’ju krijojmë kushtet për të mësuar një zanat, në rast se nuk dëshirojnë apo nuk kanë mundësi të ndjekin universitetin. Me 1 milion të papunë, 60 përqind e të cilëve janë të reja dhe të rinj, ne nuk jemi të pavarur nga varfëria. E pra ne kemi mision që ta pavarësojmë Shqipërinë nga varfëria, duke luftuar papunësinë dhe duke i dhënë çdo vajze e çdo djali mundësinë që të jetojë me punë të ndershme falë aftësive që do të marrin në shkollë."

Edhe pse ishte një koncert fantastik me Alban Skënderaj, prezenca e të rinjve e kishte superuar dashurinë për muzikën duke shkuar përtej. Ata kërkojnë zgjidhje dhe ky Manifest rinor politik është një eksperiencë jetësore unike, me të rinj që ideojnë por dhe këmbëngulin për të vendosur lidhjet intensive përmes njëri tjetrit, të cilat çdo ditë pasurohen nga harmonia dhe guximi që i jep atyre Rilindja kombëtare.
Rama ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e nismës më të re të Partisë socialiste në Facebook, “Ngri flamurin”, një nisëm e lidhur drejtpërdrejtë me ta kudo në të gjithë Shqipërinë. “Është një nisëm që na jep mundësinë të afrohemi me njëri-tjetrin dhe të afrohemi me të gjithë të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi përmes ëndrrave që ndajmë së bashku për të nesërmen. Shumë të reja dhe të rinj janë bërë pjesë e kësaj nisme dhe ëndrra e tyre është që të punojnë në Shqipëri falë aftësive të tyre dhe që përmes punës të ndërtojnë mirëqenien e tyre dhe një Shqipëri të mirëqenë. Uroj që të shihemi në Vlorë pa dyshuar për asnjë moment se së bashku ne do ta bëjmë vitin 2013 vitin e ndryshimit dhe se ndryshimi dhe se ndryshimi do të vijë për t’u dhënë krahë familjeve të zakonshme të këtij vendi kudo që ndodhen.”

Argëtimi, por edhe mesazhet politike për rininë korçare krijuan një super atmosferë e cila shoqëroi edhe deputetin Pandeli Majko një nga themeluesit e FRESSH-it kur tha ky manifest është i shkruajtur tek të gjithë juve. “Po të desh Korça të do bota. Por po nuk të deshi Korça ik sa pa ardhur 2013. Të dashur vëllezër dhe motra sot kjo flet më shumë sesa çdo program i shkuajtur. Është manifesti i FRESSH-it, por ajo është e shkruajtur tek të gjithë ju. Ju përshëndes të gjithëve, vazhdoni me këtë ritëm të jashtëzakonshëm.”

Ndërsa për të zotin e shtëpisë Kryetarin e Bashkisë së Korçës Niko Peleshin ky shesh i saporikonstruktuar, nuk do të kishte vizitorë më të mirë sesa këta të rinj për të çelur siparin e festimeve të eventeve në pedonalen e Korçës. “Nuk ka mënyrë më të bukur për të çelur siparin e festimeve, të eventeve këtu në qendrën tonë të bukur të qytetit, në pedonalen që ne do të inaugurojmë së shpejti. Për pak ditë qyteti Korçës si dhuratë për 100 vjetorin e pavarësisë do të ketë një qendër të re, një qendër të rikonstruktuar. Unë e falënderoj Erionin, falënderoj FRESSH-in që bënë të mundur një fillim të mbarë për një sezon eventesh që nuk do të mbarojnë asnjëherë në qendër të qytetit tonë të bukur të Korçës. Kjo është një dhuratë për pavarësinë dhe pavarësia është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne. Jemi në ditët e 100 vjetorit të pavarësisë dhe më duhet të kujtoj e t’ju them të gjithëve që 100 vjet më parë në vitin 1912 6 korçarë firmosën aktin e pavarësisë. Sot të gjithë ju keni mundësinë të firmosni një akt tjetër. Keni mundësinë që në qershor të vitit 2013 me punën tuaj derë më derë në çdo familje, me energjinë tuaj, me vrullin tuaj të firmosni aktin e rilindjes kombëtare,” u shpreh Peleshi gjatë fjalës së tij mbajtur para të rinjve.

Ashtu si në çdo qytet tjetër Edi Rama ftoi të rinjtë për të qenë bashkë në Rilindjen Shqiptare, sepse “kjo është në fund të fundit një betejë për një Shqipëri më të mirë”.

KOMENTE