Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka pritur dje në Bashkinë e Tiranës, një grup shkrimtarësh, pedagogësh, studentësh e gazetarësh, të ardhur nga Shkupi, për të vizituar Panairin e Librit dhe për të marrë pjesë në disa aktivitete të organizuara në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Është një privilegj të jem para jush! Unë jam Eriton Rama, studioj shkenca politike dhe dhe ju jeni frymëzimi im si një politolog. Pashë një Shqipëri dhe Tiranë aq të bukur dhe aq të mirë, për të cilën keni meritë. Jam i impresionuar dhe i mbushur me frymë patriotike dhe kombëtare. Sot jam edhe më shumë krenar që jam shqiptar dhe thjesht ju faleminderit shumë për gjithçka keni bërë për Tiranën dhe Shqipërinë!” - u shpreh Eriton Rama
Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka apeluar sërisht, që ky 100 vjetor t’i bashkojë shqiptarët, në mënyrë që të tejkalojnë sfidat që kanë përpara, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, Maqedonia të ecë përpara në rrugën e integrimit euro- atlantik, Kosova të avancojë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asocimit me BE.
“Sepse përmes evropianizimit të rajonit, ne i japim zgjidhje përfundimtare problemit shqiptar, problem i cili ka marrë dy avancime të jashtëzakonshme me futjen e Shqipërisë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës por natyrisht nuk mund të konsiderohet i zgjidhur, për sa kohë që funksionimi si një komb i vetëm, pavarësisht se në shtete të ndryshme pengohet ose nga paragjykime ose nga detyrime të paplotësuara. Ne sot shfaqemi prapë me fisnikërinë e një kombi të vjetër, pa urrejtje, pa paragjykime, me një sens emancipimi për veten tonë por edhe ndaj fqinjëve dhe që kërkojmë të tejkalohen ato probleme të së kaluarës, pavarësisht se kush ishin shkaktarët dhe të gjithë së bashku të marrim atë që na takon, nën këtë qiell të përbashkët, në gadishullin e vjetër ballkanik” – u shpreh Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.
Pasi ka tejkaluar problemet politike të një izolimi 50 vjeçar, ka mundësuar lëvizjen pa viza të qytetarëve, sot qeveria shqiptare po avancon me shkurtimin e distancave fizike mes shqiptarëve, duke i sjellë ata me pranë njeri tjetrit. Pas rrugës Durrës - Kukës, autostrada Tiranë-Elbasan dhe rruga e Arbrit do ti shkurtojnë edhe më tej distancat mes shqiptarëve, që sot gjenden jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë.
“Për një kohë të gjatë pengesat kanë qenë pothuaj të patejkalueshme, pengesa politike, kur Shqipëria e izoluar dhe shqiptarët pa të drejtë udhëtimi nuk mund të vizitonin as familjarët, as miqtë e tyre përtej kufirit. Pas kësaj, pengesa kryesore mbetet, ndonëse shumë punë është bërë, lëvizja, transporti mes dy vendeve. Shpresoj që me përfundimin e rrugës së Elbasanit, edhe një orë do ia vjedhim itenerarit Tiranë-Shkup. Shpresojmë që vitin e ardhshëm, të përfundojmë edhe rrugën e Arbrit dhe të kemi edhe lidhjen Tiranë-Dibër-Shkup, që do të jetë edhe një itenerar tjetër i përshkueshëm dhe që do të na afrojë më shumë“ - theksoi z. Basha.
Kryebashkiaku Basha ka garantuar për mbështetjen ndaj nismave dhe projekteve që do të mundësojnë një komunikim më të mirë dhe intensiv mes të rinjve të Shkupit dhe Tiranës.
“Për një gjë ju garantoj, tek kjo bashki dhe tek unë si kryetar bashkie do ta keni derën e hapur, ditën - natë, për t’ju mbështetur në çdo formë, mënyrë të mundshme, madje edhe me resurse, për të mundësuar një komunikim më të mirë, më të përhershëm midis rinisë së Shkupit dhe rinisë së Tiranës, jo vetëm gjatë ndeshjeve të futbollit të Kombëtares, (se atë e keni shkëlqyeshëm) pa pasur nevojë për shumë protokoll por duke pasur nevojë për dëshirë, pasion e patriotizëm, patriotizëm në kuptimin e vërtetë dhe evropian të fjalës dhe jo nacionalizma të sëmura që ngrejnë kokën, vetëm para zgjedhjeve dhe shuhen pas zgjedhjeve, pasi ato nuk i shërbejnë askujt, aq më pak kombit” – u shpreh z. Basha.