English

“Kupa Ushtria 2012 në Karate për Fëmijë”. Vendi i parë shqiptarët e Maqedonisë (VIDEO)

Në vijim të aktiviteteve që po zhvillohen me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të Forcave të Armatosura, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, u zhvillua pasditen e djeshme aktiviteti sportiv mbarëkombëtar “Kupa Ushtria 2012 në Karate për Fëmijë”.

Ky aktivitet u zhvillua nga Qendra e Kulturës Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe nën kujdesin e drejtpërdrejtë të ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami. Të pranishëm në aktivitet ishin: ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, presidentët e Federatave Sportive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, gjeneralë, ushtarakë si dhe familjarë të fëmijëve pjesëmarrës në këtë aktivitet.

Në këtë kompeticion morën pjesë ekipi përfaqësues kombëtar i Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe ekipi përfaqësues i fëmijëve të ushtarakëve i quajtur “Dardania”. Fëmijët ishin të grupmoshave nga 9 deri 13 vjeç, të ndara në disiplinat Kata ekipore, Kata individuale dhe Kumite individuale.

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, pasi ka falënderuar të gjithë të pranishmit u shpreh: “Ndihem me të vërtetë shumë i lumtur kur shoh këta djem dhe vajza nga mbarë trojet tona kombëtare që marrin pjesë në këtë kompeticion.

Ne do ta bëjmë këtë sport kombëtar sepse Ministria e Mbrojtjes prej dy vjetësh ka filluar të organizojë një sërë aktivitetesh për fëmijët dhe për bashkëshortet e ushtarakëve tanë, për të pasuruar jetën e tyre sociale dhe gjithashtu për të zhvilluar disa kapacitete që gjithmonë i ka pasur”. Ekipi i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili quhet “Dardania”, duhet të japë shembullin e kulturës së nevojshme sportive. Me fisnikëri dhe me dinjitet të bëjmë një aktivitet të bukur në këtë 100-vjetor të lavdishëm dhe të madh, në këtë 100-vjetor të pa ëndërruar dot nga shumë e shumë paraardhës tanë që dhanë jetën dhe gjakun e tyre për të patur këtë vend që kemi. Të kemi Kosovën e lirë dhe të pavarur, që shqiptarët në trojet e tyre në Republikën e Maqedonisë dhe në Malin e Zi të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre dhe të vijë dita që të kemi një kompeticion si ky i sotmi.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Imami theksoi se edhe prindërit që janë ushtarakë apo të Ministrisë së Mbrojtjes që kanë fëmijët e tyre në të gjitha këto aktivitete janë të kënaqur dhe i siguroj ata që angazhimi jonë dhe i shefit të Shtabit të Përgjithshëm është që t'i çojmë edhe më përpara këto aktivitete.

Më pas të pranishmit ndoqën me shumë interes demonstrimet që u zhvilluan nga fëmijët e ekipeve përfaqësuese që merrnin pjesë në këtë aktivitet mjaft të dashur për ta. Në mbyllje të aktivitetit, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA ndanë për disa grup-mosha medaljet dhe diplomat e vendeve të nderit. “Kupa Ushtria 2012 në Karate për Fëmijë” u fitua nga ekipi përfaqësues i Shqiptarëve të Maqedonisë.

Ndërsa ekipi ynë përfaqësues i fëmijëve të ushtarakëve “Dardania” arriti këto rezultate: Vendin e tretë në Kata ekipore; një medalje ari dhe tre bronzi në Kumite; një medalje ari dhe tre bronzi në Kata.

1517

KOMENTE