Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, u nis për në Bruksel ku do të marrë pjesë në datën 19 nëntor 2012 në takimin ministerial mbi nismën Adriatiko-Joniane. Takimi organizohet nga Komisioni Evropian, Komisioneri për Çështjet Rajonale, Johannes Hahn, dhe në të do të marrin pjesë Ministrat e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe Greqisë.
Synimi i këtij takimi është diskutimi midis Komisionit Evropian dhe vendeve të këtij rajoni mbi implikimet e mundshme të një strategjie makro-rajonale për rajonin Adriatiko-Jonian. Takimi do të përbëjë një mundësi mjaft të mirë që vendet e këtij rajoni, së bashku me Komisionin Evropian, të diskutojnë për të çuar përpara bashkëpunimin në fusha të tilla si: mbrojtja e mjedisit, transporti, peshkimi etj.
Gjatë punimeve të këtij takimi, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti do të takohet me Ministrin e Jashtëm italian, z. Giulio Terzi dhe Ministrin e Jashtëm slloven, z. Karl Erjavec.