Dita e sotme në veri të Mitrovicës ka qënë një ditë tepër e tensionuar aq sa janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga serbë dhe shqiptarë rreth orës 10:45 në lagjen Kroi i Vitakut.
Rastin e të shtënave me armë të zjarrit e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë e cila ka kërkuar edhe ndihmën e EULEX-in dhe KFOR-it për qetësimin e situatës në këtë pjesë të Mitrovicës. Për fat të mirë në këtë incident të armatosur nuk ka pasur të lënduar nga armët e zjarrit, ka thënë policia.
Burime të gazetës kanë thënë për ‘Koha Ditore’ se incidenti ka filluar kur inspektorë të ndërtimit të UNMIK-ut kanë dalë në lagjen Kroi i Vitakut dhe kanë kërkuar nga punëtorët shqiptarë që po rindërtonin shtëpi e djegura gjatë luftës që t’i ndërprenë punimet. Shqiptarët kanë injoruar inspektorët e UNMIK-ut duke vazhduar punimet në rindërtimin e shtëpive.
Pas kësaj një grup serbësh të tubuar aty që kanë shoqëruar inspektorët e UNMIK-ut deri tek shtëpitë e shqiptarëve kanë filluar të gjuajnë me gurë punëtorët shqiptarë. Pas kësaj edhe punëtorët shqiptarë, kanë filluar t’i gjuajnë grupin serb gjithashtu me gurë.
Pas kësaj serbët kanë filluar të shtënë me armët. Edhe shqiptarët kanë filluar të shtënave t’iu përgjigjen me të shtëna.
Nazmi Ismaili, përfaqësues i lagjes ‘Kroi i Vitakut’ ka theksuar se i tërë incidenti ka filluar me ardhje e inspektorëve të UNMIK-ut të shoqëruar edhe nga një grup serbësh. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti në lidhje me këtë ka theksuar se ka pasuar të shtëna me armë të zjarrin nga të dyja palët e policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e KFOR-it dhe të EULEX-it, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Disa gëzhoja janë gjetur në afërsi të një shtëpie.
Hoti me tej ka shtuar se situata në lagjen ‘Kroi i Vitakut’ është qetësuar, punimet janë ndërprerë ndërsa që policia është duke e hetuar këtë incident.