English

Konferenca e Kryetarëve: Tre projektligjet prioritet i kalendarit të punimeve në Kuvend

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli u mblodh sot Konferenca e Kryetarëve, e cila shqyrtoi dhe diskutoi draftkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 26 nëntor-14 dhjetor 2012. Të pranishëm në Konferencën e Kryetarëve ishin nënkryetarët e Kuvendit, përfaqësues të grupeve parlamentare si dhe Kryetarë të Komisioneve Parlamentare të Përhershme në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas diskutimeve dhe miratimit me konsensus të kalendarit të punimeve, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që prioritet në axhendën e Komisioneve Parlamentare të ketë shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2013, sapo të mbërrijë në Kuvend.

Kryetarja e Kuvendit përsëriti edhe njëherë ftesën ndaj deputetëve të opozitës për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian, duke i kërkuar të përfshijnë në kalendar seancë të posaçme, jashtë rradhe për miratimin e tre ligjeve të kërkuara. Por anëtarët socialistë të Konferencës së Kryetarëve nuk e pranuan.

Tre projektligjet që kërkohen nga Brukseli do vazhdojnë gjithsesi të jenë pjesë e Kalendarit të Punimeve të Kuvendit.

KOMENTE