English

Krasniqi-Basha. Shtatorja e Adem Jasharit në Tiranë, homazh për komandantin legjendar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehu kënaqësinë, që vizitonte Bashkinë e Tiranës, pasi siç theksoi e kishte vizituar shumë herë Tiranën por asnjëherë më parë nuk ka qenë në Bashki. Ai ka vlerësuar atmosferën e mrekullueshme që ka gjetur në Tiranë, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë.

“Në këtë 100 vjetor, shqiptarët janë më pranë se kurrë me njeri tjetrin” - tha z. Krasniqi, duke iu referuar Rrugës së Kombit dhe vazhdimit të saj, nga Morini drejt Prishtinës.

“Erdhëm në më pak se tre orë në Tiranë dhe kjo është një mrekulli që s’e kisha menduar kurrë më parë, se mund të realizohej. Kam 40 vjet i angazhuar në politikë por një gjë të tillë, s’e kisha menduar se mund të realizohej” - u shpreh Krasniqi.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shprehu kënaqësinë që priste në Bashki, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, me një kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës.

“Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë - tha Basha - Bashkia e Tiranës ka vendosur që pjesë e aktiviteteve të rëndësishme, të jetë edhe vendosja në Tiranë e shtatores së simbolit të qëndresës së shqiptarëve për liri, komandantit legjendar Adem Jashari”.

“Flijimi i familjes Jashari ishte akt historik i pakrahasueshëm në historinë tonë. Vendosja e shtatores së Adem Jasharit është një homazh që i bëhet atij dhe të gjithë luftëtarëve që ranë për lirinë e Kosovës” - theksoi Kryebashkiaku Basha.

Z. Basha ka ftuar edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, të jetë pjesë e kësaj ceremonie. Në këtë ceremoni që do të mbahet me nderet më të larta ushtarake, më 27 nëntor do të marrin pjesë drejtues të lartë nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së dhe familjarë të të rënëve në këtë luftë.

Z. Krasniqi ka vlerësuar këtë vendim të Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, si një vlerësim për të gjithë luftëtarët që ranë për lirinë e Kosovës. Rënia e Adem Jasharit, sipas z. Krasniqi mobilizoi gjithë kombin, në luftën e Kosovës. Flijimi i tre brezave, siç ndodhi me familjen Jashari është një akt i paprecedentë në historinë botërore, prandaj sipas Kreut të Kuvendit të Kosovës, vendosja e shtatores se Adem Jasharit në Tiranë u bën nder të gjithë shqiptarëve.

“Deri më sot kemi përqendruar të gjithë energjinë, tek ekzistenca e shqiptarëve - tha Basha, - tani është koha të planifikojmë të ardhmen”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka njohur z. Krasniqi edhe me idenë e tij për krijimin e Asamblesë së pushteteve vendore shqiptare, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më gjerë. Kjo Asamble synon të rrisë bashkëpunimin mes të zgjedhurve vendorë, në të mirë të qyteteve.

KOMENTE