Dikur një figurë mjaft e respektuar në ditët e sotme figura e mjekut emërtohet me mjaft epitete negative sa ndonjëherë dhe tepër të rënda.
Por në të vërtetë figura e mjekut ka dhe vërtetësinë e saj si një prej figurave tepër të rëndësishme për shoqërinë e sotme, e cila duhet të nderohet dhe çmohet.
Ministria e Shëndetësisë nderon 72 mjekë për kontributin e dhënë ndër vite. Mjekë të vjetër që kanë themeluar shërbimet por dhe mjekë që aktualisht punojnë në shërbimin shëndetësor, janë nderuar në 100 vjetorin e Pavarësisë me “Çertifikatën e Mirenjohjes”, për punën e tyre ndër vite në shërbim të qytetarëve.
“Kjo çertifikatë është vetëm një simbol modest i falenderimeve të thella që jo vetëm ne, por e gjithë shoqëria shqiptare ka ndaj jush”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.
Duke vlerësuar kontributin e mjekëve në vite, z Tavo theksoi se “shtyllat e një kombi janë tek mendja dhe trupi i shoqërisë dhe bluzat e bardha janë kujdesur për të dyja këto,
si duke shpërndarë dije të fituar në shkollimin jashtë vendit, ashtu edhe duke punuar me një dedikim të pashoq për një shëndet sa më të mirë të shqiptarëve”
Në një ceremoni të organizuar në Hotel Tirana, u shpërndanë çertifikatat për 72 mjekë të njohur, të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë si Eli Foto, Nikollaq Kaçani, Dhimiter Kraja, Anila Godo, Mihal Tase, Edmond Çeliku apo dhe themelues të shërbimeve si Adelina Mazreku dhe Besim Elezi, si dhe mjekë të spitaleve rajonale, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë, Durrës, Gjirokastër, Kukës, por edhe nga Spitali Ushtarak.
Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela solli një historik të shkurtër të shëndetësisë shqiptare, që prej krijimit të shtetit shqiptar, në 2012.
Ndër emrat e mjekëve të nderuar janë dhe ata të materniteteve të Tiranës, të Spitalit të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, stomatologë, mjekë të Institutit të Shëndetit Publik.
“Profesioni i mjekut është një profesion fisnik, pasi ku ka gjest më fisnik se sa të kujdesesh për të dobtin, të bësh të fortë të pafuqishmin, të sjellësh në jetë një foshnje, të kujdesesh për një fëmijë, t'i kthesh babain një familje, t’i kthesh lumturinë një prindi që ka fëmijën e sëmurë”, iu drejtua Ministri i Shëndetësisë mjekëve, duke shprehur mirënjohjen për punën e tyre në vite.
Ceremonia për dhënien e çertifikatave të mirënjohjes për mjekët u mbajt në kuadër të javës Pavarësi e Shëndetësi